HISTORIKE! Shqipëria fiton në Andorra, zyrtarizon pjesëmarrjen në play-off e Kupës së Botës 2026

0

Shqipëria, për herë të parë në historinë e saj, ka arritur të kualifikohet në fazën Play Off të Kupës së Botës, pasi mposhti 1-0 Andorrën në transfertë, duke marrë tre pikë të arta.

Ajo që dukej thuajse e pamundur, tashmë është bërë realitet.

Shqipëria ndodhet në vendin e dytë në Grupin K, kur i ka mbetur edhe një ndeshje për tu luajtur, përballë Anglisë të dielën, por pavarësisht rezultatit, kuqezinjtë tashmë e kanë siguruar pjesëmarrjen në ndeshjet e Play Off, pasi Serbia është 4 pikë larg pas humbjes së sotme (Angli-Serbi 2-0).

Kuqezinjtë e Silvinjos kanë arritur të fitojnë një ndeshje të vështirë në fushën e Andorrës.

Një aksion model i kuqezinjve në minutën e 67-të mes Asllanit, Uzunit dhe sërish topi te Asllani, i cili me një goditje të saktë bën që ëndrra të kthehet në realitet.

Shqipëria tashmë do të luajë të dielën për të kërkuar një tjetër 3 pikësh përballë Anglisë, me shpresën për tu renditur mes vendeve të dyta më të mira, në mënyrë që ndeshjen e parë ta luajë në Shqipëri, duke rritur kështu shanset për një tjetër sfidë historike në Play Off, e pse jo, për të ëndërruar “të pamundurën”, pjesëmarrjen në Kupën e Botës.