Shqipëria nuk po bën hapa para sa i takon uljes së kurbës së infektimeve me HIV. Vetëm në 10 muaj në 2024 janë identifikua 119 të infektuar, ndërsa incidenca në popullatë është 5 raste të reja për çdo 100 mijë banorë.
Në një intervistë për Euronews Albania, drejtorja ekzekutive e Shoqatës së personave me HIV, Olmbi Hoxhaj, shprehet se vendi ynë kryeson në rajon, për numrin me të lartë të infektimeve në popullatë.
“Krahasuar me vendet e rajonit dhe trendin, për fat të keq Shqipëria është në vendin e parë”, thotë Hoxhaj.
Ajo ngre shqetësimin se me përfundimin e fondit global në dhjetor të 2024 të gjitha shërbimet që mbështeteshin prej tij janë zeruar, e për pasojë sot, mungojnë jo vetëm testet e HIV, por e dhe kondomët që shërbejnë si masë mbrojtëse për grupet e riskut.
“Ka mungesë totale, ata i janë drejtuar për ndihmë vendeve të rajonit, di që Kosova ka ofruar një sasi kondomësh falas për shoqatat këtu por duhet zgjidhje permanente”, shprehet ajo.
Hoxhaj shprehet se në këto kushte, objektivi për eliminimin e HIV në 2030 është i pamundur.
“Në qoftë se nuk punojmë në parandalim atëherë do kemi raste që vijnë tek ne. Unë kam raste që vijnë dhe paraqite ku thonë, kërkuam për PREP dhe nuk gjetëm, pastaj vijnë si persona të infektuar me HIV”, thotë Hoxhaj.
Me përfundimin e marrëveshjes me fondin global, tashmë është ministria e shëndetësisë ajo që duhet të përmbush të gjitha nevojat e shërbimeve në kuadër të parandalimit të infektimit me HIV.