Prof.Dr. MAJLINDA PEZA PERRIU
Në vitin 1937, me rastin e 25- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Mbretëria Shqiptare organizoi konkursin për një Hymn të ri me frymë thjesht kombëtare. “Pardje, aty kah ora 17 mbasdite, në sallonin e Bashkis së këtushme u ndigjua kompozimi i Hymnit të ri të Flamurit i kompozuar, simbas vjershës së poetit Beqir Çela, prej Maestrit te ndigjuar napoletan E.A Mario, autor i ‘‘Leggenda del Plave’’. Për ta ekzekutuar nga pikpamja vokale pjesën në fjalë, ishte formuar nji kor i përbërë prej vajzash të institutit Femnor Nana Mbretneshë të udhëhequra këto prej sopranos së mirënjohur zojushës Gjeorgjia Filçe
Teksti i Himnit shqiptar të Flamurit, i njohur si Himni Kombëtar i Kolonisë së Bukureshtit, është shkruar nga poeti shqiptar Asdreni me titullin “Rreth flamurit të përbashkuar”, madje është recituar nga vetë Asdreni në një nga takimet e kolonisë shqiptare në Kishën e Shën Gjergjit të Vjetër të Bukureshtit [në atë kohë, sipas L. Poradecit Bukureshti konsiderohej si kryeqyteti i Shqipërisë në mërgim]. Në vitin 1907 kolonia shqiptare e Bukureshtit, kishte krijuar një kor për të kënduar këngë patriotike por edhe për zbukurim të shërbesës fetare në kishën shqipe të Bukureshtit, sepse në vitin 1907 Mitropolia rumune pas kërkesës së kolonisë shqiptare, kishte dhënë lejen që të meshohej në shqip nga komuniteti ortodoks shqiptar në një kishë të Bukureshtit, Kisha e Shën Gjergjit të Vjetër. Për të organizuar ceremonitë kishtare shoqëria Bashkimi [bëhet fjalë për shoqërinë Bashkimi e cila u formua në dhjetor të vitit 1906 nga bashkimi i tri shoqërive patriotike të Bukureshtit, Drita, Dituria dhe Shpresa në Bukuresht], formoi korin nën drejtimin e profesorit dhe muzikantit rumun Kiriak, profesor në konservatorin e muzikës dhe artit dramatik të Bukureshtit njëkohësisht edhe kryetar i shoqërisë korale të këngëve popullore rumune “Karmon”. Mbledhjen e parë për formimin e korit shqiptar profesor Kiriaku e bëri në Sala Transilvania (Salla Transilvania) në vitin 1907. Mes këngëtarëve të korit ishte dhe Asdreni, i njohur si vjershëtor kombëtar, të cilit të pranishmit i kërkuan të thurte disa vargje. Aty për aty Asdreni improvizoi një strofë me përmbajtje thellësisht patriotike, që fatkeqsisht nuk u botua asnjëherë dhe që, sipas L. Poradecit fillon me vargun: Ejani sot, o shqiptarë… . Shoqëria Bashkimi mori me qera edhe një sallë vetëm për të zhvillluar provat e korit të krijuar, më së shumti për çështje kombëtare se sa për çështje kishtare. Tashmë është i njohur fakti se muzika e Himnit Kombëtar me tekstin e Asdrenit është marrë nga një këngë patriotike rumune kompozuar nga Ciprian Porumbesku. Në prill 1912 teksti është botuar në gazetën shqiptare Liri e Shqipërisë që botohej në Bullgari.
Pas shpalljes së Pavarësisë, janë shkruar vazhdimisht poezi dhe tekste për një himn të ri kombëtar. Një të tillë sjell At Gjergj Fishta në vitin 1913, ndërsa Ernest Koliqi në vitin 1921 fiton vendin e parë në konkursin e shpallur për tekste të cilat do të përdoreshin si Himn Kombëtar.
Në vitin 1922, nga qeveria e kohës, shpallet Konkursi për Himnin zyrtar kombëtar, në të cilin Ministria e Arsimit vendosi një shpërblim prej 1000 franga ari për autorin e tekstit dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij.
Më 14 nëntor të vitit 1926 Fan S. Noli boton poezinë me titull Hymni i flamurit, e cila ndërtohet mbi kadenca tipike të një himni: O flamur gjak, o flamur shkabë/ o o vend e vatr, o nën`e bab/ lagur me lot, djegur me flakë/ flamur i kuq, flamur i zi.
Po ashtu, me këtë formë e motiv Mihal Grameno boton poezinë Kënga Kombëtare, Hil Mosi boton Himn i Bandës së Lirisë, Lasgush Poradeci gjithashtu shkruan një himn kombëtar më 1933, të botuar tek Vallja e yjeve.
Në vitin e parë të Mbretërisë Shqiptare, sikurse ishte në traditën e mbretërive europiane u hartua edhe një Himn i Mbretërisë. Himni i mbretërisë, me tekst të Kristo Floqit dhe muzikë të Thoma Nasit, i kushtohej më së shumti figurës së mbretit Zog.
Ndërkaq, në vitin 1937, me rastin e 25- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Mbretëria Shqiptare organizoi një ceremoni madhështore. Për këtë qëllim u ngrit Komisioni për kremtimet e 25 vjetorit të vetqeverimit. Ndërmjet shumë aktiviteteve dhe konkurseve, ndër më të rëndësishmit ishte edhe konkursi për Himnin e ri Kombëtar. Ky komision, i përbërë nga Zj. Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali, në mbledhjen e datës 05.03.1937 vendosi të hartohej një himn tjetër, sipas tyre, një hymn me frymë thjesht shqiptare. Për këtë qëllim, u ngrit juria e cila do të merrej me shpalljen e konkursit dhe do të merrte vendimin për tekstin fitues të poezisë për himnit e ri kombëtar. Juria e krijuar përbëhej nga; Konstantin Cipo, At Gjergj Fishta dhe Mid`hat Frashëri, ky i fundit nuk pranoi të ishte pjesë e jurisë duke u dorëhequr, dorëheqje që u bë publike në letrën e tij të dt.26. 07. 1937 drejtuar Komisionit Qëndror të Kremtimeve të Vetqeverimit.
Në përfundim të procesit të vlerësimit të prurjeve të teksteve të reja, nga 76 syresh, juria e përbërë nga At Gjergj Fishta dhe Kostaq Cipo shpallën fitues himnin e krijuar nga Beqir Çela [Gazeta Drita 1937. Dok. Arkivore], i cili mbante pseudonimin Osoja i Ri.
Autori i tekstit Beqir Çela në atë kohë ishte një i ri i panjohur (Demokratia, 1937), me origjinë nga Karbunara dhe emri i të cilit mori famë dhe u bë i njohur në gjithë botën tonë dhe do mbetet në histori,- thuhet në gazetë, pasi poezia e tij fitoi në konkursin për himnin e ri të flamurit, duke vijuar se, – me këtë poezi, Beqir Çela hapi rrugën e tij në fushën e letërsisë. Në faqet e kësaj gazete shkruhej: Beqir Çela lastar i Epokës së madhe Zogiste…, në strofat e Hymnit të tij flet më tepër se pënda, zëmra. Flet zëmra e falangave djaloshare, që të primuna nga Zogu i Math i Matit po marshojnë në rrugën e gjatë e të gjerë të historisë.
Referuar studiueses Natasha Porocani, Beqir Çela së bashku me Hajdar Çelën, më 1944 përkthejnë në shqip librin për fëmijë, me gjasa, më të lexuar të kohës Lizën në Botën e Çudinavet, në variantin elbasanisht. Dy ish nxënësit e shkëlqyer të shkollës Harri Fultz shëtisin në të gjithë shkollat fillore të Shqipërisë duke lexuar përkthimin e tyre, dhe duke vjelë të gjallë mendimet nga goja e fëmijëve. Ky përkthim i reziston ende kohës, sipas Poroçanit, falë mjeshtrisë së dy përkthyesve, të cilët ajo i cilëson si rikthim i martirëve.
I njohur si nipi i aktorit të njohur Mirush Kabashi, Beqir Çela, i shumëpërfolur në rrethet intelektuale të kohës si poliglot, për fat të keq nuk kursehet nga diktatura, e cila e dënon me vdekje dhe e pushkaton në vitin 1947 me grupin e deputetëve. Emrin e tij sot e mban shkolla profesionale në qytetin e Durrësit.
Më poshtë po sjellim një faksimilim të Himnit Kombëtar të shkruar nga Beqir Çela.
Aso kohe, në vijim të procedurave u organizua edhe konkursi për melodinë e himnit kombëtar, ku dëshmohet se u shpall fitues kompozitori italian Maestri i famshëm E.A MARIO. Ceremonia e prezantimit të Himnit të ri të Flamurit pasqyrohet, në faqet e gazetës Drita dhe është kënduar për herë të parë, në ambientet e Bashkisë së Tiranës realizuar në 11 tetor të vitit 1937.
Fleta e parë e partiturës së Himnit të ri së bashku me tekstin e Beqir Çelës në dy gjuhë shqip dhe italisht. Janë edhe 3 fletë të tjera.
Ja se çfarë shkruhet në faqet e gazetës Drita për ceremoninë e këndimit të Hymnit të ri të Flamurit:
hymni i ri i Flamurit
i muzikuar prej
Maestrit të famshëm E.A MARIO
u dorëzua
Pardje, aty kah ora 17 mbasdite, në sallonin e Bashkis së këtushme u ndigjua kompozimi i Hymnit të ri të Flamurit I kompozuar, simbas vjershës së poetit Beqir Çela, prej Maestrit te ndigjuar napoletan E.A Mario, autor i ‘‘ Leggenda del Plave’’.
Asistojshin në ekzekutimin e kësaj pjese të re muzikore, Kryeministri SH. T. Koco Kota, Ministri i Drejtësisë SHK. T. Thoma Orolloga, Ministri i P. të Mbrendëshme SHk. T. Musa Juka, Ministri i Financavet SHk. T. Kol Thaci, Ministri i Arësimit SHK. T. Faik Shatku, Mibistri i Ekonomisë Kombëtare SH.k T. Terenc Toci, Ministri i Italisë SHk. T. nob. Jacomoni, Konsulli i Italisë z. Valerio Valeriani, Deputeti i Vlorës z. S. Simonidhi, Sekretari i Përgjithëshëm i Ministris së P. të Mbrndëshme z. Zef Kadarja, Prefekti i Tiranës z. Qamil Pepa,Kryetari i Bashkis së Kryeqytetitz. Abidin Nepravishta, z. Mati Logoreci, etj. Ne sallë gjindesh pranë edhe autktori i vargjevet të Hymnit të ri të Flamurit z. Beqir Cela.
Ndërkaq, rezulton se Mbreti Zog nuk ka qenë prezent në ceremoni.
Për ta ekzekutuar nga pikpamja vokale pjesën në fjalë, ishte formuar nji kor i përbërë prej vajzash të institutit Femnor Nana Mbretneshë të udhëhequra këto prej sopranos së mirënjohur zojushës Gjeorgjia Filçe.
Kori në fjalë, aty kah ora 17.15 e këndoi dy herë me radhë Hymnin e ri i cili prodhoi si nga pikpamja e vargjevet ashtu edhe nga ajo e muzikës një përshtypje të thellë në gjithë ndigjuesat e zgjedhur. E shoqëronte korin në piano Maestri M.Campanino i Theatrit Lirik San Carlo të Napolit.
Duartrokitje të nxehta e pritën mbylljen e Hymnit të ri dhe Maestri E.A Mario u përgëzua prej të gjithëve.
Me këtë rast z. Porf Mati Logoreci i drejtoi Ministrit të Italisë Sh. T. nob. Jacomoni këto fjalë:Muzika Italiane plot harmoni dhe bukuri, kompozue nga muzicistë italjanë, do të ngjalli në shpirtnat shqipëtare atë bukuri dhe harmoni të nevojëshme për të cementue ma shumë ndiesit e miqësis midis të dy brigjevet të Adriatikut.
Ministri i Italisë e falenderoi z. Logoreci për shprehjet e tija të bukura dhe miqësore, ndërsa kompozitori E.A Mario i drejtonte Sh. Tyne Kryeministrit dhe Ministravet këto fjalë: Ju lutem të më lejoni të shpreh mirënjohjen t’ime kundrejt atyre që kanë dashur të marin pjesë në një kësi avenimenti historik të rëndësishëm. Ftuar të muzikoj Hymnin e Shqipëris së re, mikesh’ e Italisë, duhet t’a kosideroj ftesën si një çmim të veprimtarisë s’ime ndër këngë patriotike. Dhe, me të vërtetë i kam konsideruar shqipëtarët nga pikëpamja e identitetit të fateve të Kombevet t’anë. Për hir të shkëmbimeve të simpathis dhe t’ interesavet, si edhe të bashkimit të gjakut me rastin e emigrimeve të shqiptarëvet në Itali, nuk kam hasur n’ asnjë vështirësi për të muzikuar Hymnin që m’u besua. Hymnet na tregojnë çastet më me rëndësi të lartësimit shpirtnor të Kombevet, edhe unë prandaj falenderoj Shkëlqesit e Juaja për adoptimin e Hymnit që lej peng ndër zemrat e të gjithë shqipëtareve.
Shprehjet e fundit të kompozitorit të çquar u pritën me duartrokitje të nxehta dhe me brohoritje për N.M.T Mbretin Zog dhe për Sh.T Benito Mussolini. Duke folur edhe ne emër të gjithë kabinetit, Sh.T Dr. Terenc Toci shprehu mirënjohjen dhe admirimin e Shqipërisë për veprën patriotike dhe plot enthusiazmë të kryer nga autori i së famëshmes ‘’Leggenda del Piave’’ Në fund të kësaj ceremonije të thekëshme, u servir nga ana e Bashkis së Kryeqytetit nji vermut, ndërsa Maestri E.A Mario, i ftuar prej ministrit Toci, këndoi disa prej këngëve me frymë luftarake të kompozuara prej vetë auktorit gjatë Luftës së përbotëshme.
Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur më pas me këtë Himnin të ri të flamurit, sepse burimet e mëvonshme nuk japin informacion nëse u përdor apo jo ky himn më pas. Por fakti që nga kjo kohë e në vijimësi deri në ditët e sotme, ka vijuar të përdoret himni i parë i flamurit, na bën të mendojmë se ky himn nuk është përdorur më pas.