Hyn në fuqi nga 1 korriku/ Ky vend ndalon pirjen e duhanit në hapësirat publike ku ka fëmijë

0

Qeveria franceze ka njoftuar se duke nisur nga data 1 korrik 2025, pirja e duhanit do të ndalohet në të gjitha hapësirat publike të hapura ku mund të jenë të pranishëm fëmijët. Ndalimi do të zbatohet në plazhe, parqe, kopshtet publike, zona pranë shkollave, stacionet e autobusëve dhe objektet sportive.

“Ku ka fëmijë, pirja e duhanit duhet të zhduket”, deklaroi Ministrja e Shëndetësisë dhe Familjes, Catherine Vautrin, në një intervistë për gazetën Ouest-France. Ajo shtoi se mosrespektimi i këtij ndalimi do të ndëshkohet me një gjobë prej 135 eurosh.

Sipas ministres, masa synon të mbrojë të drejtën e fëmijëve për të marrë ajër të pastër, duke theksuar se “liria për të pirë duhan mbaron aty ku fillon kjo e drejtë”.

Ndalimi përfshin jo vetëm ambientet pranë shkollave fillore, por edhe ato pranë shkollave të mesme dhe të larta, për të penguar të rinjtë që të pinë duhan para hyrjes në institucionet arsimore.

Megjithatë, vendimi nuk do të zbatohet për zonat e jashtme të kafeneve, dhe as për përdorimin e cigareve elektronike. Ministrja Vautrin ka shprehur synimin për të kufizuar më tej përdorimin e tyre duke ulur përmbajtjen e nikotinës dhe reduktuar numrin e aromave të lejuara.

Kjo nismë është pjesë e Programit Kombëtar për Luftën kundër Duhanpirjes 2023–2027, i paraqitur nga ish-ministri i Shëndetësisë Aurélien Rousseau, i cili ka si qëllim krijimin e një “brezi pa duhan” pas vitit 2032.

Megjithatë, organizatat kundër duhanit kanë shprehur shqetësim për zbatimin e masave, duke theksuar se shpesh mbeten vetëm në letër.

Sipas të dhënave zyrtare, pirja e duhanit shkakton rreth 75,000 vdekje në vit në Francë. Një sondazh i shoqatës Ligue contre le cancer tregon se 62% e francezëve janë në favor të një ndalimi më të gjerë të duhanpirjes në hapësirat publike.