‘I dënuar 15 vite, kishte kohë që ishte kthyer nga Italia’, DETAJE nga vrasja e ‘Geçes’ në Vlorë; gjendet një makinë e djegur
Detaje të reja bëhen me dije lidhur me ngjarjen që ka tronditur sot qytetin bregdetar të Vlorës. Si pasojë e një atentati mafioz me kallashnikov ka mbetur i vdekur Gentian Qarri, rreth 40 vjeç. Atentatorët e kanë qëlluar nga një makinë teksa ai po ecte në këmbë.
Ai shkoi në spital në gjendje të rëndë, por nuk mundi të mbijetëojë pasi u qëllua në krahasror me disa plumba. Qarri ka marrë disa plumba, dhe në gjymtyrët e poshtëm, por ato në kraharor kanë qenë fatalë për të.
I riu njihej me nofkën ‘Geçe’ dhe kishte pak vite që ishte kthyer nga Italia, pasi ishte dënuar atje me 15 vite burg. Nuk dihet se cili ka qenë motivi i këtij atentati, por viktima ka qenë me precedentë penal dhe nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes në aktivitete kriminale.
Ngjarja ka ndodhur pranë Bibliotekës te Kisha Ortodokse. Autorët janë larguar dhe policia e cila po punon për kapjen e tyre, ka gjetur një makinë tip ‘Toyota’ të djegur në Pyllin e Sodës. Autoritetet gjithashtu kanë ngritur postblloqe në pika kyçe në qytet.
“Më datë 06.02.2021, rreth orës 18:16, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit është plagosur me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta shtetasi G. Q., rreth 40 vjec, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës. Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendgjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve”, deklaron Policia.