Ish-ministri Saimir Tahiri e ka kaluar mbrëmjen e parë në qeli në ambientet e burgut 313 në Tiranë.
Gjatë ditës së sotme, pritet që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të zhvillojë një mbledhje, ku dhe do të përcaktohet institucioni ku Tahiri do të vuajë dënimin.
Apeli i Posaçëm tha dje në vendimin për Tahirin, se ish-ministri mund ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.
Tahirit i është lejuar që të marrë me vete rrobat e tij, dhe paketat e cigareve, ndërkohë që është ndaluar çdo send tjetër personal.
Në paraburgim nuk lejohen takimet me familjarët, dhe i vetmi që pritet të kentë një takim me Tahirin gjatë ditës së sotme është avokati mbrojtës Maks Haxhia.
Mësohet se për kushte sigurie Tahiri është lënë i vetëm në qeli, për shkak se shumë prej të burgosurve të tjerë, janë arrestuar gjatë kohës kur ai ka qenë ministër.
Janë 6 qeli në burgun 313 që shërbejnë si dhoma teke, ku mund të bëhet edhe izolimi i ish-ministrit Tahiri.
Dhoma ku është izoluar Tahiri nuk ka as televizor dhe as frigoriger, pasi është dhomë observimi me afat 10 ditor.
Ato mund të merren nga i dënuari pas 10 ditësh, përmes familjarëve të tij.
Në dhomën ku ndodhet Tahiri ka një krevat, komodinë, dhe tualet brenda dhomës.
Kujtojmë se Tahiri e quajti të padrejtë vendimin e Apelit të Posaçëm për dënimin e tij me burg, ndërsa avokati Maks Haxhia u shpreh se kjo ishte një njollosje për imazhin e ish-ministrit.