I sëmurë me Covid, presidenti mandaton Kryeministrin brenda një kutie të qelqtë

0

Presidenti çek Milos Zeman ka mandatuar Petr Fiala si kryeministër të ri të vendit. Zeman, i cili rezultoi pozitiv me koronavirus javën e kaluar e bëri mandatimin nga brenda një kutie të qelqtë në një dhomë të rezidencës shtetërore ku po kurohet ndaj sëmundjes.

Presidenti u fut nga stafi i spitalit me pajisje të plota mbrojtëse. Rregullat çeke kërkojnë që një pacient pozitiv të respektojë dy javë izolim.

77-vjeçari është një duhanpirës i rregullt dhe ish i alkoolizuar dhe sot përdor një karrige me rrota për të lëvizur, si dhe vuan nga diabeti.

Sipas kushtetutës çeke, presidenti është ceremonial, por ai drejton bisedimet për formimin e një qeverie të re. Votimi i muajit të kaluar ktheu një fitore të papritur për opozitën kundër kryeministrit Andrej Babis.

Duke folur përmes një mikrofoni brenda kutisë së mbyllur, Zeman tha se do të kalonte dy javët e ardhshme duke intervistuar të nominuarit për ministër, edhe pse zgjedhja e kandidatëve supozohet të jetë në dorë të Kryeministrit të mandatuar.

Ky proces do të vazhdojë deri më 13 dhjetor, moment në të cilin qeveria e re në tërësi mund të emërohet për të marrë detyrën.

Kryeministri Babis dhe partia e tij populiste ANO kishin kërkuar rizgjedhjen pas katër vitesh në pushtet. Por ata u mundën nga koalicioni i qendrës së djathtë Spolu, që do të thotë “Së bashku”.

Emërimi i Pietr Fiala vjen pas javësh spekulimesh se presidenti donte t’i besonte aleatit të tij, Kryeministrit aktual, detyrën e formimit të një kabineti.

Një figurë kontroverse, Zeman është i njohur për deklaratat përçarëse dhe përdorimin e gjuhës së fortë. Në qershor ai u kritikua ashpër se i quajti transgjinorët “të neveritshëm”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu