I shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim droge/ I riu arrestohet në Lezhë, pritet ekstradimi në Spanjë (EMRI)

0

Një 28-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Lezhë. I riu ishte në kërkim nga autoritetet e Spanjës. Mbi të rëndon akuza e shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike.  I arrestuari është Kristo Biba 28 vjeç i cili pritet të ekstradohet në Spanjë.

Në njoftimin e policisë bëhet me dije se Gjykata e Tarragonës i ka caktuar të riut masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 8”. I akuzuar nga autoritetet spanjolle, për trafikim të lëndëve narkotike, kapet në Lezhë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Spanjë, 28-vjeçari.

Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 8”, kapi në Shënkoll dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar K. B., 28 vjeç, i lindur në fshatin Domgjon, Lezhë.

Gjykata e Tarragonës, Spanjë, me vendimin e datës 28.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës. Interpol Tirana dhe Interpol Madrid po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu