Identifikohet një prej autorëve të dhunës ndaj policit në Kukës, zbardhet dinamika e ngjarjes

0

Është identifikuar dhe shpallur në kërkim një prej autorëve të dhunës ndaj efektivit të policisë në Kukës.

Policia e qytetit thotë se ka marrë dëshminë e policit, dhe paraprakisht dyshohet se ai mund të jetë sulmuar nga disa persona, për shkak se njërin prej tyre e kishte ndaluar një ditë më parë gjatë detyrës si efektiv i rrugores.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 17:00, Inspektor Q.D, punonjësi i Policisë Rrugore në DVP Kukës, ka njoftuar se në rrugën për në fshatin Pobreg, është konfliktuar fizikisht me disa persona për shkak të detyrës.

Punonjësi i Policisë aktualisht është duke dhënë kallëzim pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë.

Nga veprimet e para është identifikuar njëri prej personave që punonjësi i Policisë ka debatuar për shkak të detyrës ditë më parë.

Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, së bashku me grupin hetimor po punojnë për identifikimin dhe të personave të tjerë, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Ndërkohë shërbimet e Policisë po kryejnë kontrolle për kapjen e personit të identifikuar nga ana e Policisë.