Tiranë- Në një intervistë ekskluzive me gazetarin Artur Nura, analisti i njohur Ilir Kulla analizon raportet mes Shqipërisë dhe Italisë në dritën e zhvillimeve të fundit politike, ekonomike dhe shoqërore. Me një përvojë të hershme akademike dhe profesionale në Itali, Kulla sjell një qasje të thelluar mbi takimin e parë të dy qeverive, marrëveshjet e nënshkruara, sfidat e bashkëpunimit institucional dhe ndikimin afatgjatë të lidhjeve njerëzore mes dy vendeve. Nga ekonomia e deri te arkitektura, ai thekson domosdoshmërinë që institucionet e të dy vendeve të përputhen me realitetin e ngushtë që ka krijuar shoqëria shqiptaro–italiane gjatë tri dekadave të fundit.
INTERVISTA
Artur Nura:
Zoti Kulla, mirë se erdhët, kënaqësi t’ju dëgjoj sërish, sidomos sa i përket marrëdhënieve italo–shqiptare.
Përpara se të hyjmë në temë, dua t’u shpjegoj teleshikuesve lidhjen tuaj të hershme me Italinë, një histori që ngjan me atë të shumë shqiptarëve: vitet e para pas rënies së komunizmit, emigrimi, studimet, puna, miqësitë. Për ju, Italia ka qenë dhe vazhdon të jetë një lloj atdheu i dytë. Ju keni studiuar atje. Mund të na thoni konkretisht çfarë studimesh keni kryer?
Ilir Kulla:
Kam kryer disa studime në Itali, mes të cilave gjuhë–letërsi italiane, si edhe studime të larta në Kolegjin e Mbrojtjes të NATO-s.
Artur Nura:
Zoti Kulla, si e patë takimin e parë dypalësh të dy qeverive, atë midis Shqipërisë dhe Italisë? Një mbledhje e tillë nuk është zhvilluar as gjatë periudhës fashiste, as gjatë mbretërisë së bashkuar. Sa efektive mendoni se do të jetë kjo nismë? A do të ketë rezultate përtej imazhit publik dhe aspektit mediatik të dy kryeministrave?
Sepse thelbi është ky: çfarë kanë përfaqësuar realisht marrëdhëniet italo–shqiptare gjatë 35 viteve të fundit? A kanë qenë më dinamike ato mes njerëzve sesa ato institucionale?
Ilir Kulla:
Po, marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike kanë qenë shumë më të gjalla sesa ato institucionale.
Në 35 vjet ka ekzistuar një prezencë e madhe shqiptare në Itali dhe italiane në Shqipëri, por kjo nuk është reflektuar gjithmonë në institucionet e të dy vendeve.
Ajo që ka munguar është prezenca e kapitalit të madh italian në Shqipëri. Sot duket se ka gjasa për ndryshim: më shumë biznese të mëdha, më shumë investime reale.
Historikisht, investimi i parë i rëndësishëm ishte ai i grupit “Ferrero” me “Crispo”. Më pas “ProtoCol” dhe hyrja e “Intesa Sanpaolo”. Por më tej investimet ranë. Grupi “ENI”, për shembull, nuk ka prezencë në Shqipëri. Këto boshllëqe mbeten ende.
Për herë të parë, në këtë takim u nënshkruan disa memorandume bashkëpunimi. Por puna e vërtetë fillon tani.
Ka disa arsye pse nuk jemi aty ku duhet: nga ana jonë Italia nuk është trajtuar gjithmonë si prioritet strategjik; nga ana e Italisë, Shqipëria shpesh është parë si një vend i vogël që thjesht nuk duhet të krijojë probleme. Të dy mentalitetet duhet të ndryshojnë.
Artur Nura:
Keni përmendur shpesh edhe aspektin e formimit akademik. Në 35 vjet, mbi 100 mijë shqiptarë kanë studiuar në Itali, shumë prej tyre falë bursave të shtetit italian. Por ky formim, sipas jush, nuk pasqyrohet në institucionet tona?
Ilir Kulla:
Pikërisht.
Në qeverinë shqiptare sot ka vetëm një ministre, atë të Shëndetësisë, që ka punuar në Itali. Në Forcat e Armatosura nuk ka gjeneralë të diplomuar në Itali. Në Policinë e Shtetit, vetëm një ose dy me formim të tillë. E njëjta gjë edhe në shërbimet inteligjente.
Për më tepër, unë e vlerësoj shumë gjuhën italiane, por duhet ta theksoj: italishtja e folur si emigrant nuk është italishtja e Dante Alighierit. Këtu e kam fjalën për standardin profesional dhe elitar të gjuhës.
Artur Nura:
Të ndalemi te aspekti politik. Ju keni qenë mbështetës i marrëveshjes Rama–Meloni për emigrantët. Sot, të dy palët e ripohuan vendosmërinë për zbatimin e saj. Si e shihni këtë proces?
Ilir Kulla:
Marrëveshja ishte e nevojshme dhe u bë mirë që u nënshkrua. Italia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë në kohë emergjencash.
Por problemi ishte ritmi. Nga nënshkrimi i marrëveshjes e deri sot, pati një vonesë të stërzgjatur — dukej sikur marrëveshja u sabotua politikisht në Itali.
Nga ana tjetër, u firmos më në fund marrëveshja për pensionet, një hap tejet i rëndësishëm pas më shumë se 30 vjetësh. Por marrëdhëniet tona duhet të jenë shumë më të avancuara, sidomos në epokën e inteligjencës artificiale.
Realiteti është ky: duam apo s’duam, Shqipëria sot funksionon pothuajse si një rajon italian. Duhet vetëm që institucionet të përputhen me realitetin që ekziston mes njerëzve.
Artur Nura:
Zoti Kulla, për ta mbyllur, një koment për arkitekturën e Tiranës, të cilën shpesh e keni analizuar.
Ilir Kulla:
Tirana ka ende një pjesë të arkitekturës së periudhës moderne dhe asaj të fashizmit, dhe unë e vlerësoj atë shumë më tepër sesa një pjesë të ndërtimeve të pas viteve ’90.
Italia ka dy realitete që bashkëjetojnë: trashëgiminë arkitekturore të ruajtur dhe modernitetin e veriut. Pikërisht kjo bashkëjetesë e bën Italinë unike.
Dhe e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me marrëdhëniet shqiptaro–italiane: institucionet duhet të reflektojnë realitetin e vërtetë dhe të gjallë që ekziston mes njerëzve.





