DURRËS– Një traget është përplasur me një anije në afërsi të Portit të Durrësit duke vënë në rrezik jetën e 173 pasagjerëve që ishin nisur drejt Italisë. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e motit të keq pak para mesnatës te bankina tregtare në Portin e Durrësit. Era e fortë ka bërë që trageti ‘Ventouris’ me anijen cargo duke vënë në rrezik jetën e 173 pasagjerëve qëpër destinacion kishin Barin. Si pasojë e përplasjes nuk ka pasur persona të lënduar, por dëme të vogla materiale.
Lajmi është konfirmuar edhe nga zëvendësministri i Instrastrukturës dhe Energjetikës, Ardi Veliu. Përpara mediave, ai u shpreh se do të merren masa që ky incident, pavarësisht se nuk ka sjellë dëme, mos të përsëritet më.
“Gjatë natës së kaluar ka ndodhur një incident në akuariumin e Portit të Durrësit. Me porosi të veçantë të zonjës ministre sot së bashku me drejtorin e portit dhe me drejtorin e përgjithshëm të detarisë kemi zhvilluar një analizë në lidhje me këtë incident. Ka pasur një avari të vogël gjatë daljes nga akuariumi të dy trageteve. Ka pasur vetëm dëme të vogla materiale. Bëmë një analizë për të evidentuar se çfarë nuk ka funksionuar mirë apo për të identifikuar problematika të cilat mund të kenë ndodhur gjatë kësaj manovra me qëllim eliminimin për ta bërë Portin e Durrësit sa më të sigurt. Gjatë manovrës që ka bërë trageti për të dalë nga akuariumi, duke parë edhe kushtet atmosferike që kanë qenë shumë të këqija, forca e detit ka qenë mbi 6 ballë brenda në akuarium dhe më shumë se 7 ballë jashtë. Kjo ka qenë faktor që e ka bërë të vështirë veprimin e duhur të kapitenit për të shmangur incidentin,”- tha Veliu.