Infoweb Media- 5 vite arritje, suksese e histori!

0

Editorial

Kur teknologjia digjitale ia behu në horizont, një sfidë e re plot me pikëpyetje u shfaq para medieve dhe platformave profesioniste. Cila do të ishte e ardhmja?
Epoka e re gjithmonë çel sfida e prespektiva të reja.

Pesë vite më parë, një vizion i qartë dhe ambicioz u bë realitet: krijimi i një platforme mediatike që do të shndërrohej në një nga mediet më inteligjente dhe profesionale në Shqipëri – Infoweb Media.

Një grup profesionistësh në gazetari, së bashku me të rinj të motivuar dhe të mbushur me ide, nën drejtimin e Anisa Bahiti, bëri hapin e parë drejt një koncepti të ri mediatik, të lidhur ngushtë me internetin dhe teknologjinë digjitale. Infoweb Media nisi në një dhomë të thjeshtë – një fillim modest, ashtu si shumë histori të mëdha të tipit ‘Steve Jobs’, por me ide të mëdha që do të shpërthenin më pas si një “Big Bang” mediatik.

Falë vizionit, profesionalizmit dhe pasionit, Infoweb Media u bë shpejt një nga mediet më të ndjekura në Shqipëri. Objektivi kryesor ishte i qartë: të afrohet me njerëzit, t’i bëjë ata pjesë të medias dhe të krijojë një komunikim të hapur dhe të drejtpërdrejtë.

Gjatë këtyre pesë viteve, platforma publikoi mijëra lajme, zhvilloi dhjetëra emisione, reportazhe dhe speciale, duke përfshirë të gjitha grupmoshat dhe segmentet e shoqërisë – nga qytetarët më të thjeshtë deri te figurat publike dhe politikanët. Korrespondentët e saj u shpërndanë në të gjithë Shqipërinë dhe përtej kufijve, duke zgjeruar audiencën jo vetëm në vend, por edhe në rajon dhe në vende të ndryshme të botës, falë teknologjisë dhe inovacionit.

Shumë shpejt, Infoweb Media u rendit ndër 30 mediet më të ndjekura në Shqipëri, me synimin e qartë për t’u bërë një ndër 10 mediet më të mira. Raportimet e saj janë gjithmonë të gjithanshme, të paanshme dhe të bazuara mbi profesionalizëm, duke reflektuar vlerat e qytetarisë, transparencës dhe respektit ndaj publikut.

Sot, në këtë 5-vjetor, shohim një histori impresionuese suksesi – një model mediatik që duhet admiruar dhe që shërben si shembull. Infoweb Media është një platformë ku të gjitha format e komunikimit masiv janë të integruara, dhe ku vizioni, ideja, pasioni dhe profesionalizmi bashkohen për të shërbyer audiencës.

Gëzuar 5-vjetorin Infoweb Media!
Përpara drejt shumë viteve të tjera të sukseseve dhe inovacionit, duke qëndruar gjithmonë pararoja e informimit publik në Shqipëri dhe kudo në botë.