INSTAT/ Pse Shqipëria ka pagat më të ulëta në rajon në IT, arsim, shëndetësi, shërbime, bujqësi, financa e biznes?

0

Biznesi i kafeve dhe restoranteve është punëdhënësi i pestë më i madh në vend, me 7.8% të totalit. Industria e veshjeve dhe këpucëve, që ka si avantazh kryesor koston e lirë të fuqisë punëtore, gjeneron rreth 9% të vendeve të punës në vend.

Burimi: INSTAT

Jo rastësisht, të gjithë këta sektorë po vuajnë sot për të gjetur fuqinë punëtore dhe po detyrohen të rrisin pagat, ndërkohë që fuqia blerëse është në rënie, për shkak të emigracionit, duke u futur në një rreth vicioz.

“Mungesa e konkurrencës, nga njëra anë, bashkë me liberalizimin e lartë të tregut të punës dhe mungesën e plotë të rolit rregullator të shtetit, në mbrojtjen e interesave të punëmarrësve, nga ana tjetër, kanë sjellë një problem serioz të natyrës së ekonomisë politike në shpërndarjen e së ardhurës së krijuar, në favor të kapitalit, duke diskriminuar punën”, thotë prof. Selami Xhepa, rektor i Universitetit Europian të Tiranës.

Përndryshe, shton ai, “nëse ekonomia rritet më shpejt në Shqipëri, atëherë dhe pagat duhet të ishin rritur me ritme më të shpejta se në vendet e rajonit.

Rritja ekonomike buron nga rritja e produktivitetit, gjë që nënkupton se puna (sigurisht dhe kapitali) kanë qenë më produktive, në terma relativë”.

Orientimi i kapitaleve të lira drejt ndërtimit është një tjetër faktor që “fryn” rritjen ekonomike, por në fakt, nuk bën asgjë për të rritur produktivitetin dhe njohuritë, duke u bërë realisht pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm në afatin e gjatë. Sipas INSTAT, ndërtimi ka kontribuar mesatarisht në një të tretën e rritjes ekonomike në 2020-2022, i ndihmuar edhe nga kanalizimi i parave informale në këtë sektor.

 

TURIZMI, PSE NË MAL TË ZI, SEKTORI KA PAGË MESATARE MBI 800 EURO, SA DYFISHI TE NE

Turizmi është një ndër sektorët me potencial të lartë zhvillimi në vend. Në vitin 2022, Shqipërinë e vizituan një numër rekord prej 7.5 milionë shtetasish të huaj. Interesi i lartë i turistëve ka nxitur investime të shumta në biznesin e akomodimit e shërbimit ushqimor, kryesisht në hotele.

Por, ky zhvillim po pengohet nga mungesa e fuqisë punëtore. Ekspertët e tregut të punës dhe bizneset shpjegojnë se në vijim, mungesa e fuqisë punëtore do të kthehet në emergjencë për mbajtjen në këmbë të aktiviteteve.

Fatos Çerenishti, i cili drejton “FAFA Resort”, një nga njësitë më të mëdha të akomodimit në vend, tha se, vështirësitë në gjetjen e punonjësve pengojnë seriozisht mbarëvajtjen e aktivitetit.

Sipas tij, importi i punonjësve të huaj shpesh nuk është zgjidhje, për shkak të kostove më të larta që kanë, pasi përveç pagës duhet siguruar edhe akomodimi dhe ushqimi, që në fund të ditës është një kosto shtesë për bizneset në raport me punonjësit vendas.

Të njëjtin shqetësim kanë dhe operatorët e bareve e restoranteve në vend. Shoqata e Bareve dhe Restoranteve ka pohuar më herët për “Monitor” se prej tre muajsh, për shkak të mungesës së theksuar të fuqisë punëtore, shumë struktura shërbimi po kërkojnë punonjës nga Filipinet.

Për kthimin në normalitet të sektorit, Shoqata pohon domosdoshmërinë e plotësimit të 15,000 vendeve të lira të punës.

Sipas INSTAT, sektori “Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit”, ka mbi 50 mijë të punësuar, ose rreth 8% e totalit të të punësuarve në sektorin privat në vend.

Por, paga e kësaj kategorie mbetet mjaft e ulët, duke nxitur paqëndrueshmëri dhe largime të mëdha. Sipas INSTAT, në fund të vitit 2021, kur janë dhe të dhënat e disponueshme të detajuara për këtë kategori, paga mesatare ishte 290 euro, sa paga minimale, që është shumë më e ulët se vendet e tjera të rajonit, përveç Kosovës.

 

Burimi: Institutet statistikore të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjës; përpunime të Monitor

Në vitin 2022, pagat janë rritur sipas operatorëve të tregut, si rrjedhojë e presionit të mungesës së stafit, por mesatarja nuk shkon më shumë se 400 euro.

Ndërsa Mali i Zi, që është një konkurrent i Shqipërisë për turizmin, e ka rritur pagën mesatare në 813 euro për “Akomodimin dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit”, në fund të tremujorit të tretë 2022, nga 613 euro në shtator 2021, sipas të dhënave nga Zyra e Statistikave të Malit të Zi.

Zak Topuzi, ekspert i turizmit, nga Shoqata Shqiptare e Hotelierëve, pohon se Mali i Zi ka turizëm gjithëvjetor në 70% të strukturave, gjë që i mundëson të ulë kostot, ndërsa sektori operon me çmime më të larta se në Shqipëri. “Hotelet në periudhën e dimrit punojnë me çmimet tona të sezonit prej 70-90 euro/nata dhe në sezonin pik, me 250-400 euro për të njëjtin nivel me 4-5 yje.

Mali i Zi ka krijuar zinxhirin e hoteleve të mëdha e resorteve, që u mundëson të shesin në maj, qershor, shtator paketat me 40-50 euro/person (pra 80 euro dhomën dhe 20 euro paketë ushqimi) dhe korrik gusht, 160-250 euro dhomën”, thotë ai. Edhe shërbimi ushqimor është i shtrenjtë.

“Në Mal të Zi, çmimet janë rritur më shumë se në Greqi. Një biftek i zakonshëm kushton 24-28 euro, një oktapod zgare, 18-22 euro”.

Ky model biznesi u mundëson hoteleve që të kenë më shumë të ardhura dhe të përballojnë paga më të larta për punonjësit e tyre. Mali i Zi po tërheq dhe punonjës shqiptarë. Z. Topuzi thotë se ka shumë shqiptarë nga zona Shkodër-Lezhë, që punojnë në hotelet e Malit të Zi.

Në Shqipëri, sektori i akomodimit është i paorganizuar dhe për më tepër, modeli drejt të cilit po shkohet nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm. “Ne nuk kemi treg të turizmit të konferencave, panaireve rajonale, etj. Ndërkohë që janë në ndërtim 2000 shtretër me 5 yje!!! Profesionalisht, 3% e kapaciteteve duhen me 5 yje. Nga 10,000 shtretër që ka sot Tirana, 1/5 do jenë me 5 yje!”, thotë Topuzi.

Sot, hotele që konsiderohen me 4-5 yje shesin dhoma me çmime të hoteleve me 3 yje. Edhe kapërcimi në një turizëm elitar është mision i vështirë.

“Shqipërisë i mungon infrastruktura bazë, si aeroporte, pastrimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave, përgjegjësi të qarta në të gjitha nivelet për zhvillimin e turizmit, ndërsa ka ndërtime pa kriter”. I gjithë ky model i çorientuar zhvillimi nuk mundëson as rritjen e çmimeve të hoteleve dhe si rrjedhojë, kufizon aftësinë e sipërmarrësve për të ofruar paga më të larta për punonjësit.

ADMINISTRATA, MË PAK E PAGUAR EDHE SE NË KOSOVË

Punonjësit e administratës publike mbeten më të nënpaguarit në rajon, edhe në krahasim me Kosovën. Në shtator 2022, paga mesatare mujore bruto për aktivitetin “Administrimi publik dhe i mbrojtjes” ishte 607 euro, nga 650 euro në Kosovë në fund të vitit 2021, kur Agjencia e Statistikave të Kosovës raporton të dhënat e fundit.

Në vendet e tjera të rajonit, pagesa mujore i kalon 800 eurot.

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtetet me të ardhurat më të ulëta në buxhet, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, nën 30%, ndërsa në shtetet e tjera, treguesi luhatet mes 30-40% të PBB-së. Të ardhurat më të larta u mundësojnë shteteve të tjera të rajonit që të kenë më shumë mundësi të shpenzojnë për fondet e administratës.

Burimi: Institutet statistikore të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjës; përpunime të Monitor

Mjekët shqiptarë paguhen më pak së të gjithë, na e kalon dhe Kosova

Pandemia e Covid-19 nxori më në pah rëndësinë e sistemit shëndetësor. Shqipëria ishte një nga shtetet me vdekshmërinë më të lartë shtesë në Europë, si një tregues i kushteve të dobëta, por edhe mungesës së mjekëve.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Shqipëria ka 18 mjekë për 10 mijë banorë, nga 31 që është treguesi në Serbi, 28 në Maqedoninë e Veriut, 27 në Mal të Zi, apo 40 në Itali e 44 në Gjermani.

Ndonëse janë të pakët në numër, mjekët paguhen pak, duke nxitur një emigrim masiv të kësaj kategorie, sidomos në Gjermani.

Në fund të vitit 2021 (ku janë të dhënat e fundit të disponueshme për këtë nënaktivitet për Shqipërinë dhe Kosovën), paga mesatare në shëndetësi ishte 580 euro. Në Kosovë, mjekët paguhen rreth 640 euro, ndërsa në vendet e tjera të rajonit, mbi 800 euro.

Burimi: Institutet statistikore të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjës; përpunime të Monitor

Arsimi vlen më pak në Shqipëri dhe Kosovë

Arsimi është baza për zhvillimin e një kombi. Por, në Shqipëri, ky sektor nuk ka marrë rëndësinë e duhur. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Kosovën.

Në fund të vitit 2021 (kur raportohen dhe të dhënat e detajuara për Shqipërinë e Kosovën) paga mesatare për arsimin ishte 584 euro, nga gati 800 euro në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë dhe gati 700 euro në Maqedoninë e Veriut. Kosova i paguan arsimtarët dhe më pak se Shqipëria, me vetëm 518 euro/muaj.

Burimi: Institutet statistikore të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjës; përpunime të Monitor

SEKTORI FINANCIAR KA DIFERENCË MË TË ULËT ME RAJONIN, POR SËRISH ËSHTË NË FUND

Puna në sektorin financiar sot është më e paguara, pothuajse sa dyfishi i pagës mesatare në vend. Në këtë diferencë ndikon dhe fakti që ky sektor është sot më i formalizuari dhe nuk ka evazion të pagave.

Sektori financiar, sidomos ai bankar, është më i zhvilluari në vend, me nivel të lartë të kapitalit të huaj (ndonëse në rënie) duke sjellë standarde më të larta për mënyrën e trajtimit dhe shpërblimit të punonjësve. Edhe rezultatet financiare të sistemit janë të kënaqshme, me kthime relativisht të larta.

Por, sërish, në raport me rajonin, punonjësit në banka e sigurime shpërblehen më pak. Paga mesatare mujore në shtator 2022 ishte rreth 1 mijë euro, duke ia kaluar vetëm Kosovës, ku shpërblimi në sektorin financiar është vetëm 511 euro.

Më i lartë, niveli është në Mal të Zi, me rreth 1500 euro dhe në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë, me 1300-1400 euro/muaj.

“Struktura e pagave në aktivitetin financiar dhe të sigurimit ndjek logjikën e tregut, duke ruajtur hendekun me nivelet e tjera”, thotë Artan Gjergji, ekspert i sistemit financiar.

Z. Gjergji shton se ka disnivel të lartë mes pagesave për CEO-t dhe drejtorët e departamenteve, që janë mbi 4 mijë euro në muaj dhe niveleve të tjera drejtuese si drejtorë divizionesh e drejtorish, që janë nën 2.5 mijë euro.

“Çdo bankë ka një kupolë prej 20 personash, që janë të mirëpaguar, ndërsa punonjësit e tjerë kanë paga mesatare”.

 

Burimi: Institutet statistikore të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjës; përpunime të Monitor

 

NË SERBI, PAGA MESATARE PËR ICT ARRIN 3000 EURO, NË SHQIPËRI SPECIALISTËT PO IKIN…

Ekspertët e teknologjisë së informacionit janë sot ndër më të kërkuarit, si për shkak të zhvillimeve ekonomike, ashtu dhe globalizimit që mundëson lëvizjen e tyre nga një shtet në tjetrin, apo punën në distancë.

Shpërblimet e ulëta po nxisin shumë profesionistë të këtij sektori të largohen nga vendi. Sipas INSTAT, paga mesatare në aktivitetin “Informacioni dhe Komunikacioni” ishte gati 800 euro në shtator 2022, sërish më e ulëta në rajon, me përjashtim të Kosovës. Ky nivel është sa gjysma e Maqedonisë së Veriut dhe shumë më e ulët sesa në Serbi, që e ka zhvilluar dukshëm teknologjinë e informacionit vitet e fundit.

Paga mesatare në aktivitetin “Informacioni dhe Komunikacioni” në Serbi ishte mbi 2200 euro në shtator 2022. Instituti i Statistikave i Serbisë i publikon të dhënat edhe sipas aktiviteteve më të detajuara.

Në shtator 2022, nënaktiviteti i “programimeve kompjuterike, konsulencës dhe aktiviteteve të lidhura” kishte një pagë mesatare gati 3 mijë euro, që është më e larta nga të gjitha kategoritë e tjera që raportohen në Serbi, duke ia kaluar transportit ajror që mbante më parë rekordin.

 

Burimi: Institutet statistikore të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjës; përpunime të Monitor

 

Marko Vučetić, analist i sektorit të IT në Serbi, tha për “Monitor” se rritja në sektorin e TI-së në Serbi ka qenë konstante prej disa vitesh, gjë që vërehet në eksportin e shërbimeve të TIK-ut, por edhe në numrin e madh të kompanive të hapura në qendrat e IT-së si Beogradi, Novi Sadi, Nishi e të tjera.

Zhvillimi i sektorit ka sjellë në mënyrë konstante dhe rritjen e pagave. “Ajo që duhet të theksohet gjithashtu është se zhvilluesit në Serbi mund të fitojnë paga prej 8,500 eurosh, që është paga më e lartë e regjistruar në faqen e internetit HelloWorld.rs, e cila është uebfaqja më e madhe serbe për rekrutimin e kandidatëve për IT”, pohon ai. (shiko nënndarjen: Si e zhvilloi Serbia, teknologjinë e informacionit).

Në Shqipëri, sipas burimeve nga tregu, paga mesatare për IT është rreth 700-800 euro në muaj dhe mund të arrijë deri në 2 mijë euro në muaj për nivelet e larta . “Ky profesion është ende në fazë të pazhvilluar te ne, nuk i është kuptuar ende rëndësia dhe, për më tepër, është përhapur në mënyrë të cunguar”, pohon Gledis Mezuraj, ekspert në IT.

Ai shton se shumë profesionistë të cilët po largohen, shkojnë kryesisht drejt Gjermanisë, për shkak të pagave të larta, rreth 4 mijë euro në muaj dhe lehtësive në sigurimin e dokumentacionit, që ka krijuar shteti gjerman për ekspertët e kësaj fushe.

 

BUJQËSIA, SHQIPËRIA I KA PAGAT SA GJYSMA E MESATARES RAJONALE

Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë. Pesha e “Bujqësisë, peshkimit dhe pyjeve” në vlerën e shtuar bruto të ekonomisë është rreth 20%, përkundrejt 10% në Maqedoninë e Veriut dhe rreth 9% në Mal të Zi e Kosovë, dhe shumë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej më pak se 2%, sipas të dhënave të Eurostat.

 

Burimi: Institutet statistikore të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjës; përpunime të Monitor

 

Sektori ka një nivel shumë të lartë informaliteti dhe vuan pasojat e copëzimit të tokës, që nuk mundësojnë arritjen e ekonomisë së shkallës, duke pasur produktivitet të ulët, që e bën jokonkurrues.

Sipas INSTAT, rreth 40% e të punësuarve në vend janë në bujqësi, por në pjesën më të madhe, ata janë të vetëpunësuar dhe të dhënat e raportuara tregojnë se, pjesa më e madhe e tyre, janë në mbijetesë.

Paga mesatare në aktivitetin “Bujqësi, silvikulturë dhe peshkim” ishte 350 euro në shtator 2022, më e ulëta nga të gjithë aktivitetet e tjera.

Në vendet e rajonit, të punësuarit në bujqësi paguhen dyfish, me përjashtim të Kosovës, që është nën nivelin tonë (të dhënat për Kosovën janë të disponueshme deri në fund të vitit 2021). Rekordin e mban Mali i Zi, me 817 euro në muaj, por edhe në Serbi e Bosnjë, të ardhurat i kalojnë 700 euro në muaj.

Maqedonia e Veriut ka rritur me shpejtësi pagat në bujqësi dy vitet e fundit, duke e çuar në rreth 620 euro në muaj, nga 485 euro në shtator 2019, sipas të dhënave nga Zyra e Statistikave Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.

Abdylshyqyr Abedini, zëvendësministër i Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, tha për “Monitor” se mungesa e fuqisë punëtore ka qenë një faktor i rëndësishëm, i cili ka nxitur këtë tendencë.

“Janë në këtë nivel, sepse kemi punëtorë deficitarë në këtë sektor, për arsye se kërkesat janë të mëdha për punë, ndërsa nuk ka forcë punëtore të mjaftueshme, duke ndikuar në rritjen e pagesave nëpër ferma”.

Një tjetër faktor lidhet me nxitjen që ka marrë sektori nga politikat zhvilluese dhe subvencionet e dhëna në bujqësi, që kanë ndikuar në rritjen e prodhimit dhe shtimin e të ardhurave për fermerët (shiko nënndarjen: Modeli, si Maqedonia e Veriut nxiti bujqësinë dhe rritjen e pagave)./MONITOR

Burimi: Institutet statistikore të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjës; përpunime të Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu