Këtë fundvit, Shqipëria rezulton një nga vendet me inflacionin më të lartë në Europë. Ndryshe nga vendet e BE-së ku çmimet po ulen me ritme të shpejta, në Shqipëri po ndodh e kundërta.
INSTAT raportoi se inflacioni në muajin nëntor rezultoi 3.9%, ndërkohë që në BE ky tregues ishte 2.4%. Referuar shifrave zyrtare, zarzavatet, frutat, bulmeti dhe mishi janë produktet më të shtrenjta të shportës. Rritja e shpejtë e çmimeve i ka vënë familjet shqiptare në vështirësi, por ekspertët nuk presin ulje as vitin e ardhshëm.
Shqipëria është një nga vendet me çmimet më të larta të ushqimeve në rajon dhe Europë. Ky fundvit, i gjeti familjet shqiptare në vështirësi ekonomike.
Referuar të dhënave zyrtare, inflacioni në vendet e eurozonës ka rënë me ritme të shpejta veçanërisht dy muajt e fundit. Ndërsa në Shqipëri, ulja nuk po reflektohet me të njëjtin ritmëm duke e lënë vendin në mesin e shteteve me inflacionin më të lartë në Europë.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë nëntorit, rritja e çmimeve u ndikua nga ushqimet dhe pijet jo alkolike. E thënë ndryshe, shqiptarët po paguajnë çdo ditë e më shumë për t’u ushqyer. Referuar shifrave zyrtare, zarzavatet, frutat, bulmeti dhe mishi janë produktet më të shtrenjta të shportës.
Vetëm për të blerë një kilogram qumësht, djath dhe mish do të na duheshin minimalisht 2,600 lekë.
Statistikisht, krahasuar me një vit më parë kostoja e jetesës këtë vit rezulton më e ulët. Por në xhepat e qytetarëve kjo diferencë nuk ndihet, pasi çmimet po rriten më shpejt se pagat dhe pensionet.