“Mirëdita! Dje u ktheva nga Brukseli, ku mora pjesë në forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, organizatë që grupon 87 parti politike të qendrës së djathtë dhe konservatore nga të gjitha vendet e botës. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë. Denoncimi i farsës më të shëmtuar elektorale, të 34 viteve të fundit, farsës së zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Gjatë dy ditëve të qëndrimit tim në Bruksel, 15 dhe 16 maj, unë pata takime intensive me drejtuesit më kryesorë të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, presidentin Stefan Harper, sekretaren e përgjithshme, Tina Mercep. Ndër të tjera takova shumë miq të vjetër, por dhe miq të rinj udhëheqës të forcave politike kryesore të qendrës së djathtë në Europë dhe botë. Takova Europarlamentar me interesa për zhvillimin e proceseve elektorale në Shqipëri. Përfaqësues të rëndësishëm të qendrës së djathtë në Parlamentin Europian.
Në të gjitha këto takime, unë njoha bashkëbiseduesit e mi, me vjedhjen e madhe të hapur dhe publike të votës së qytetarëve shqiptarë, nga narkodiktatori Edi Rama, dhe në këtë aspekt u paraqitën vendimet e qeverisë për bonusin famoz, 100 euro për votë për çdo pensionist, 76 mln euro. Vendimi për të falur gjobat, 200 mln euro. Punësimet dhjetëra, e mijëra punësime për votë. Dhjetëra mijëra hektarë kanabis për votë. Janë këto akte të cilat rrëzojnë në mënyrë përfundimtare farsën elektorale të 11 majit. Pa llogaritur këtu ndërhyrjet e fuqishme të krimit të organizuar në 20 bashki të vendit dhe në 10 qarqe. Rezultatet e këtyre ndërhyrjeve kulmuan me më të votuarit e të votuarve në Shqipëri, persona anonim si Sara Mila, Arkend Balla, etj. Pra, në totalitet do ta përmbledh se çfarë ishin zgjedhjet në Shqipëri me një fjalën e një miku të çmuar të Shqipërisë. Zgjedhjet në Shqipëri, deklaroi ai, ishin të njëjta me ato që kisha parë dekada me parë në Zimbabve, të diktatorit Mugabe.”, tha Berisha.