Ishte dënuar për korrupsion, lirohet nga burgu ish-gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha

0

Gjykata e posaçme e Apelit ka liruar nga qelia ish-gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha dhe sekretaren e gjykatës Manuela Mallkuçi.

Ndërkohë vetëm një ditë më parë gjykata e refuzoi lirimin sepse nuk ishte plotësuar afati për shuarjen e masës së sigurisë.

Disa muaj më parë, Gjykata e Posaçme e dënoi ish-gjyqtaren Hoxha me 3 vite, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfitoi 1/3 e uljes së dënimit. Hoxha akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Enkelejda Hoxha u shkarkua nga detyra e gjyqtares më 17 mars dhe u la në burg nga Gjykata e Apelit, edhe pse disa herë kërkoi lirinë me pretendimin se kishte dy fëmijë të mitur për të cilët duhet të kujdesej. Ajo u arrestua nga SPAK më 11 shkurtit 2021 pas një superoperacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, teksa ajo do të lironte të dënuarin për vrasje, Saimir Petani. Hoxha prej kohësh ishte kthyer në “fenomen” në drejtësinë shqiptare, duke u njohur si gjyqtarja “dorëlëshuar” që lironte persona të rrezikshëm në këmbim të parave. Përveç saj në pranga ra edhe avokati i saj Tabaku, i cili luante rolin e sekserit mes gjyqtares dhe avokatëve të palës tjetër.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka marrë shuma nga 6 mijë deri në 12 mijë euro në këmbim të lirimit të të dënuarve për vrasje. Në skemë u zbulua edhe mjeku kardiolog Edvin Prifti pasi nga përgjimet rezultoi se kishte marrë ryshfet për të operuar në QSUT nënën e sekretares së gjykatës, Manuela Mallkuçi, por më vonë ai u la i lirë. Sekretarja e gjykatës, Manuela Mallakuçi merrte përsipër të fiksonte shortin, në mënyrë që çështjet të kalonin tek gjykatësja Enkelejda Hoxha. Ndërkohë mjeku i arrestuar Shkëlqim Korbi, sipas prokurorisë firmoste raportet false për të burgosurit në mënyrë që ata të përfitonin lirimin nga qelitë para përfundimit të kohës së plotë të dënimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu