Adoleshenti 16-vjeçar nga Kolumbia, i cili u dënua me vetëm dy vite prove dhe 100 orë punë komunitare pasi vrau një vajzë në një aksident automobilistik në Kolorado, është arrestuar nga agjentët e Imigracionit së bashku me të gjithë familjen e tij.
Ngjarja ndodhi më 8 korrik 2024 në Aurora, ku viktima, Kaitlyn Weaver, 24 vjeç, u godit për vdekje nga një makinë tip Jeep që drejtohej me shpejtësi mbi 90 milje në orë nga adoleshenti, i cili ishte pa leje drejtimi. Ajo ndodhej në kryqëzim, në një ndalesë, kur makina e të miturit e goditi anësisht me forcë të madhe. Weaver u dërgua në spital në gjendje kritike dhe ndërroi jetë dy ditë më vonë.
Edhe pse u akuzua për vrasje nga pakujdesia në drejtim të automjetit, prokuroria e qarkut Arapahoe arriti një marrëveshje me të miturin për një dënim të butë, pa burg. Ky vendim shkaktoi reagime të ashpra, sidomos nga autoritetet federale.
ICE e arrestoi të miturin më 20 maj dhe njoftoi se ai do të mbahet në paraburgim deri në përfundim të procesit të imigracionit. Agjencia theksoi se pavarësisht statusit të azilit në shqyrtim, emigrantët e paligjshëm që kryejnë krime mund të ndalohen dhe të dëbohen.
Nëna e të miturit, pronare e makinës me të cilën ndodhi aksidenti, pranoi se kishte tentuar ta kthente të birin në Kolumbi pas ngjarjes, por ai kishte vendosur të qëndronte në SHBA dhe të aplikonte për azil.
“Për drejtësinë lokale, mjafton prova dhe asnjë ditë burg për një emigrant të paligjshëm që vrau një vajzë të re. Për ICE, drejtësia është arrestimi dhe dëbimi,” deklaroi zyra e ICE në Denver.
Ndërkohë, babai i viktimës, Jeff Weaver, u shpreh i shokuar nga situata: “Pësuam një përplasje midis sistemit të imigracionit dhe sistemit të drejtësisë. Dhe tani vajza ime është e vdekur.”