Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot programin elektoral të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, duke zbuluar një model të ri pasaporte që, sipas tij, do të përdoret nga shqiptarët pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Rama e cilësoi këtë pasaportë si “fytyrën e pasaportës shqiptare evropiane”, duke theksuar se dizajni i ri përmban elementët e sigurisë që plotësojnë standardet e Bashkimit Evropian. “Kjo është fytyra e pasaportës shqiptare evropiane… dizajni i ri përmban elementët e sigurisë të standardeve të BE-së,” tha Rama gjatë prezantimit.
Kryeministri vijoi të theksojë rëndësinë e një mandati të fortë për Partinë Socialiste, duke kërkuar mbështetje për të vazhduar përpjekjet për integrimin e Shqipërisë në BE. Ai deklaroi se vetëm PS mund të ofrojë pasaportën e Bashkimit Evropian për shqiptarët. “Për t’iu dhënë pasaportën e BE na duhet një mandat i fortë. Kush e do pasaportën e BE, duhet të japë kontribut që Shqipëria të futet në BE dhe kontributi për Shqipërinë në BE është investimi i votës aty në qendër të fletës së votimit ku është numri 5 dhe ku shkruan PS dhe Edi Rama,” theksoi ai.
Rama shtoi se askush tjetër, përveç PS-së, nuk mund ta pajisë Shqipërinë me pasaportën e BE brenda kësaj dekade. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e thellimit të reformave për të arritur këtë qëllim, duke paralajmëruar se çdo luhatje apo konfuzion mund të dëmtonte afatin e vitit 2027 për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Çdo luhatje, çdo konfuzion e bën afatin e 2027 të digjet. Janë edhe reformat për t’u thelluar dhe s’mund t’i thellojë dot askush tjetër veç nesh,” përfundoi ai.