Japonia dhuron një automjet zjarrfikës për Bashkinë Librazhd

0

Një gjest solidariteti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar ka shënuar ditën e sotme në Librazhd. Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, znj. Kato Kikuko, është pritur në Bashkinë e Librazhdit nga kryetari Mariglen Disha, në kuadër të dhurimit të një automjeti zjarrfikës modern për këtë bashki.

Ky automjet, dhuratë nga Ambasada Japoneze, pritet të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet e shërbimit zjarrfikës të Librazhdit dhe të ndihmojë në reagimin më të shpejtë e më efikas ndaj situatave emergjente.

“Falë mbështetjes bujare të Ambasadës Japoneze, Bashkia Librazhd ka marrë dhuratë një automjet zjarrfikës modern, që do të ndihmojë në përballimin më efektiv të emergjencave dhe në rritjen e sigurisë për qytetarët tanë”, u shpreh kryebashkiaku Disha, duke falënderuar Ambasadën, popullin dhe taksapaguesit japonezë për kontributin e tyre të çmuar.

Kryetari Disha i shprehu mirënjohje të veçantë znj. Kikuko për angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe për mbështetjen konkrete që Japonia i ofron komuniteteve vendore në Shqipëri, duke forcuar lidhjet miqësore mes dy vendeve.