HIMARË- Kryetarja e komanduar e bashkisë së Himarës, Blerina Bala ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme pak javë pas marrjes së detyrës.
Në letrën e saj për dorëheqjen Bala shkruan se ishte e privilegjuar të drejtonte bashkinë e Himarës, për aq kohë sa mbajti postin. Ajo shkruan se arsyet e dorëheqjes janë personale, ku shprehet se kërkojnë kohën dhe vëmendjen e saj të plotë.
LETRA:
Të nderuar banorë të Himarës!
Të nderuar anëtar të Këshillit Bashkiak Himarë!
Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që mu dha mundësia të drejtoja Bashkinë Himarë për këtë periudhë aq sa të vështirë dhe të mrekullueshme për mua.
Gjatë kësaj kohe jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe e palëkundur, për të trajtuar dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje.
Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë.
Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë.
Dua të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen më të thellë stafit të Bashkisë Himarë, Këshillit Bashkiak Himarë dhe cdo banori të Himarës për mbështetjen dhe për vlerat njerëzore që kemi ndarë gjatë kësaj periudhe.
Përulësisht kërkoj të pranoni mirënjohjen time të sinqertë, për bashkëpunimin dhe për cdo gjë që kemi arritur së bashku.
Me respekt, Blerina Bala.
Dorëhiqet kryetarja e komanduar e bashkisë së Himarës/ Bala:
Zgjedhja e Balës erdhi pasi edhe kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri edhe ish- kryebashkiaku, Jorgo Goro i cili dha po ashtu dorëheqjen, ndodhen në burg. Bala u zgjodh nga Këshilli Bashkiak i Himarës dhe do të drejtonte bashkinë deri në zgjedhjet e reja. Jorgo Goro u arrestua më datë 23 mars. Ai akuzohet për tjetërsim pronash, rreth 10 mijë hektarë. Ndërsa kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit dhe akuzohet për korrupsion në zgjedhje