Jo direkt arrest me burg. Gjykata e Lartë nis procedurën për masat e sigurisë, kush përfiton

0

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka nisur procedurën për ndryshimin e pjesshëm të praktikës së njësuar të Kolegjeve të Bashkuara, lidhur me Vendimin Unifikues nr. 7, datë 14.10.2011, mbi masat e sigurimit personal.

Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i këtij ndryshimi është të krijojë një praktikë gjyqësore më të njëtrajtshme dhe në përputhje me ligjin, Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Veçanërisht, synohet shmangia e arrestit me burg të menjëhershëm, duke u dhënë përparësi masave alternative më të buta për kufizimin e lirisë personale.

Me këtë vendim kërkohet të përfitojnë disa kategori të personave që janë nën hetim të cilët nuk mund të konsiderohen më automatikisht të rrezikshëm vetëm nga natyra e veprës penale. Sipas Gjykatës së Lartë, në dhënien e masave, trupi gjykues duhet të arsyetojë konkretisht pse është e nevojshme arresti me burg, të vlerësojë rrethanat dhe personin në secilin rast dhe të analizojë opsionet alternative.

Ky hap shënon gjithashtu ushtrimin për herë të parë të kompetencës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale, për të kërkuar ndryshimin e pjesshëm të një praktike të njësuar të Kolegjeve të Bashkuara.

Seanca publike për shqyrtimin e çështjes është caktuar të zhvillohet më 9 prill 2026, ora 09:30, në ambientet e Gjykatës së Lartë.

Ky vendim pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në praktikën gjyqësore në fushën penale në Shqipëri, duke ofruar udhëzime të qarta për gjykatat në interpretimin dhe zbatimin e masave të sigurimit personal.