Jorgo Goro shtrohet në spitalin e burgut, shfaq probleme shëndetësore

0

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro është shtruar në spitalin e burgut.

Lajmi konfirmohet nga burime për mediat, teksa shtohet se Goro ka shfaqur disa shqetësime shëndetësore.

Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme e rikonfirmoi masën e “arrestit në burg” për Goron me akuzen e shpërdorimit të detyrës, teksa më 25 mars ky i fundit ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga detyra e tij.

Kujtojmë se Goro kur është arrestuar ka qenë në një lokal në Dhërmi, ku i pranishëm në tavolinë ka qenë dhe një prokuror, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.

Sipas njoftimit zyrtar të dhënë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) u caktua masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim J.G., me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim B.A. dhe V.GJ.) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të. Ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për shtetasin tjetër nën hetim S.M.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu