Deputetja Jorida Tabaku ka folur sot në “Shqipëria Live” për mbledhjen e seancës parlamentare por edhe për zhvillimet brenda Partisë Demokratike.
E pyetur nga moderatorja Sidorela Gjoni nëse brenda PD po diskutohet për zhvillimin e zgjedhjeve për një kryetar të ri dhe nëse vetë Tabaku do të ishte një alternativë, deputetja zgjodhi të mos jepte një përgjigje. Ajo tha se kjo është çështje e brendshme e partisë, që nuk do ta diskutojë jashtë forumeve të PD, ashtu siç ndodhi më herët.
“Çështjet e PD do i diskutojë PD. Është gabim që i kemi nxjerrë jashtë PD-së çështjet e brendshme dhe që i kemi çuar edhe në Parlament. Nuk do e bëj më këtë gabim. Sigurisht që analiza të thella, të brendshme do të bëhen. Le ta lëmë që këto të bëhen brenda forumeve. Çdo shqetësim dhe diskutim do ta bëjmë brenda PD-së. PD duhet vetëm të ece përpara, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Duhet të forcojë veten.”– tha Tabaku.