Ka drejtuar Lyonin dhe ka qenë ndihmës i Tites, njihuni me ‘trajnerin’ e ri të Kombëtares

0

Sot u bë me dije se Sylvinho dhe Duka kanë gjetur akordin total, pasi kjo ishte një negociatë e cila ka nisur pak kohë më parë. Menjëherë pas përfundimit të Botërorit, Sylvinho është i lirë, pasi si zëvendës i Tites, u largua nga stoli i seleçaos pas zhgënjimit në Katar.

Si futbollist, 48-vjeçari ka pasur një karrierë të shkëlqyer, duke veshur fanellat e klubeve si Corinthias, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona e Manchester City, ndërsa prej 2011-ës ka varur këpucët në gozhdë, për t’iu përkushtuar trajningut.

Eksperienca e parë si trajner ishte ajo e ndihmësit të Tites te Corinthias, ndërsa në dhjetor të 2014-ës u transferua në Milanon zikaltër, për të bërë ndihmësin e Roberto Mancinit në pankinën e Interit. Më 2016-ës u bë sërish krahu i djathtë i Tites, këtë herë në përfaqësuesen e Brazilit, ndërsa në 2019-ën provoi eksperiencën e parë si trajner i parë i një klubi të njohur.

Ishin francezët e Lyonit ata që i besuan pankinën, por eksperienca në Ligue 1 zgjati pak për Sylvinhon, që u shkarkua në tetor të 2019-ës, vetëm 4-5 muaj pas emërimit. Më pas, në maj të 2021-shit Sylvinho u emërua trajner i Corinthiasit, ku rezistoi thuajse një vit, pasi u shkarkua në shkurt të këtij viti.

Aktualisht Sylvinho është i papunë dhe në pritje të një shansi për të treguar se vlen edhe si trajner, teksa Kombëtarja Shqiptare ndoshta do të jetë një trampolinë e mirë drejt ligave të njohura europiane për brazilianin 48-vjeçar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu