Në qytetin e Elbasanit ka nisur zbatimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjektet private. Aksioni po zhvillohet nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe është pjesë e një fushate kombëtare për kthimin e trotuareve dhe lulishteve në shërbim të qytetarëve.
Sipas Bashkisë, paraprakisht bizneset janë njoftuar për të larguar vullnetarisht materialet që pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve. Në rastet kur nuk është pasur reagim, ndërhyrja ka nisur me heqjen e strukturave abuzive nga IMT.
Në fokus të operacionit është edhe verifikimi i respektimit të lejeve për strukturat e lëvizshme. Deri më tani, nuk raportohet të ketë pasur rezistencë nga subjektet e përfshira.
Të hënën pritet që aksioni të inspektohet nga vetë Kryeministri Edi Rama.
Bashkia e Elbasanit ka theksuar se është dhe do të mbetet në mbështetje të çdo biznesi që respekton ligjin dhe hapësirat e përbashkëta me komunitetin./Infoweb Media