Kabineti qeveritar i Kosovës miraton programin qeverisës

0

Kabineti qeveritar i Kosovës ka miratuar programin qeverisës për vitet 2021-2025, ndërsa ministri Goran Rakic ishte i vetmi që ka abstenuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se menjëherë pas diskutimit të programit qeverisës, i njëjti do të plotësohet me disa pjesë në gjuhën serbe. Ai para kabinetit qeveritar ka përmendur dy prioritet e qeverisë.

“Qeveria thekson të fokusohet në dy prioritete më urgjente. Menaxhimi i pandemisë i shkaktuar nga COVID-19 dhe lehtësimi i pasojave ekonomike. Jemi duke punuar dhe tashmë janë konfirmuar një numër solid i vaksinave. Jemi duke punuar që deri në fund të vitit të sigurojmë imunizimin e 60 për qind të popullatës. Zotimet tona për krijimin e bankës zhvillimore dhe fondit sovran do të bëhet gjatë mandatit tonë. Ne do të aplikojmë me kërkesën për Bashkim Evropian. Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme. Do të rishikojmë skemat e asistencës”, tha Kurti.

Ai është zotuar se do të përmbyllin sistemin informativ shëndetësor dhe reformën e administratës publike. Ndërsa, Trepçën do e shndërrojnë në ndërmarrje fitimprurëse.

“Deri në fund të mandatit do të ketë pesëfishim të inspektorëve të punës. Do të aplikojmë dhe anëtarësohemi në kartën e Adriatikut. Do të bëjmë dialog të barabartë me marrëveshje reciproke. Do të afrohemi dhe bashkëpunojmë me Shqipërinë, do të përgatisim padinë për Serbinë në Gjykatë Ndërkombëtare. Do të bëjmë mbikëqyrje demokratike të FSK-së”, ka deklaruar ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka propozuar projektligjin për Agjencinë për Konfiskimin e Pasurisë, meqë siç tha ajo janë shfaqur disa pengesa.

E ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakic ka deklaruar se nuk e voton programin ndërsa nuk e ka pranuar me kohë materialin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu