Administratori i Bayern Munich, ish-portieri Oliver Kahn ka folur të shtunën në ‘ZDF’ për kontratat e yjeve të bavarezëve, për të cilët këto ditë po flitet mjaft.
Ndaj ai është ndalur te çështja e Robert Lewandowskit, Thomas Müllerit dhe Manuel Neuerit, kontratat e të cilëve skadojnë në vitin 2023, duke dashur të qetësojë debatet dhe spekulimet për largimin e mundshëm të tyre.
“Lojtarët kanë ende kontrata edhe për sezonin e ardhshëm. Ne gjithmonë kemi thënë se do të ulemi dhe do të bisedojmë me ta, çka është një prioritet për ne. Kjo nuk ka ndryshuar”,- tha ai. Nga ana tjetër, ai nuk ka pranuar të hyjë në detaje të negociatave, për të mos i dhënë informacion konkurrentëve.
I pyetur konkretisht për Lewandowskin, Kahn ishte i bindur: “Nuk ka asnjë arsye për t’u larguar nga Bayern. Lewandowski gjithçka e ka arritur me ne”.