Kaloi një natë në Kosovë, detaje nga kthimi i Kadri Veselit në Hagë

0

Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli është nisur me një aeroplan privat rreth orës 14 nga Aeroporti i Prishtinës për në Rotterdam pas përfundimit të lejes nga Gjykata Speciale e Hagës.

Lëvizjet në selinë e EULEX-it nisën që në orët e para të mëngjesit. Pas fjetjes, Kadri Veseli kaloi edhe mëngjesin e së martës brenda ambienteve të misionit të BE-së për sundimin e ligjit. Megjithatë shtimi i pjesëtarëve të Zyrës së Prokurorisë Specialegjatë ditës, bënë të kuptohej largimi i ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës.

Rreth orës 12 kur u bllokua rruga nga Policia e Kosovës, me forca të shtuara të sigurisë e me 5 makina të EULEX-it, Kadri Veseli po transferohej në Aeroportin e Prishtinës. Këtu po e priste një aeroplan privat, i cili e solli atë vetëm një ditë më parë në Kosovë. Pas disa përgatitjeve, rreth orës 14:00 aeroplani privat u nis nga Prishtina për në aeroportin e Rotterdamit në Hagë.

I shoqëruar gjatë gjithë kohës nga zyrtarë të ZPS-së, Kadri Veseli u kthye sërish në Qendrën e Paraburgimit në Hagë të Holandës, ku po mbahet që nga 5 nëntori i vitit 2020. Pavarësisht kësaj leje speciale atij i është refuzuar vazhdimisht kërkesa për lirim me kusht dhe ende s’ka datë zyrtare për fillimin e gjykimit ndaj tij.

Ardhja e Veselit në Kosovë u përcoll me masa të rrepta sigurie. Dhomat e Specializuara të Hagës ia kanë lejuar Veselit vizitën në Kosovë pasi të premten e javës së kaluar nëna e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Ajshe Veseli humbi jetën në moshën 93-vjeçare. Muaj më parë, Veselit iu dha një leje e njëjtë për të ardhur në Kosovë nga paraburgimi i Gjykatës Speciale në Hagë, për shkak të vdekjes së babait. Kadri Veseli është duke u mbajtur në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë, nën dyshimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai në korrik të vitit të kaluar humbi edhe të atin Fazli Veseli.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu