Kanadaja kërkon emigrantë, por heziton vetëm për një arsye

0

Një tjetër vend i zhvilluar kërkon emigrantë. Kanadaja shpreson se më shumë emigrantë mund të nxisin rritjen ekonomike dhe të zbusin një mungesë të theksuar të fuqisë punëtore pas pandemisë, por emigrantët e rinj mund t’i hedhin benzinë në atë treg të nxehtë të banesave që banka qendrore ka paralajmëruar se ishte nxitur nga “një fluks i papritur investitorësh”.

“Administrata e kryeministrit Justin Trudeau është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin e këtij viti për 401,000 banorë të rinj të përhershëm dhe është vendosur të rishikojë objektivin e vitit të ardhshëm prej 411,000”, tha për Reuters një burim qeveritar.

Qeveritë e njëpasnjëshme të Kanadasë janë mbështetur te emigracioni për të nxitur rritjen ekonomike përballë një norme në rënie të lindshmërisë, e cila arriti një rekord të ulët vitin e kaluar. Me pandeminë që ka shkaktuar pensione të parakohshme mes kanadezëve të moshuar, tërheqja e emigrantëve është bërë edhe më e rëndësishme. Gjithashtu, vendi synon emigrantët me kualifikim të lartë që priren të rrisin të ardhurat dhe të fitojnë mjaftueshëm për të konkurruar për strehim.

“Kanadaja ka nevojë për emigracion për të krijuar vende pune dhe për të nxitur rimëkëmbjen tonë ekonomike”, i tha Reuters ministri i Emigracionit, Sean Fraser. “Nuk është vetëm fakti se një në tre biznese kanadeze është në pronësi të një emigranti, por edhe që të ardhurit po ndihmojnë për të trajtuar mungesën e fuqisë punëtore”, vijoi ai.

Kostot e banesave janë rritur kryesisht për shkak të normave të ulëta të interesit dhe mungesës së ofertës. Migrimi ishte një tjetër faktor, veçanërisht para pandemisë. Tani që shumica e kufijve janë hapur përsëri numri i emigrantëve mund të rritet sërish.

Çmimet e banesave kanë ndihmuar në nxitjen e inflacionit në nivelin më të lartë në 18 vitet e fundit. Planet e qeverisë për të zbutur kostot e strehimit do të kërkojnë kohë për t’u vendosur dhe disa masa mund të forcojnë më tej kërkesën, thonë ekonomistët.

“Është një enigmë,” tha Stephen Broën, ekonomist i lartë kanadez në Capital Economics, për efektin e imigracionit në kostot e strehimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu