Procesi i votimit në qendrën e votimit në Tregan të Elbasanit ka nisur në mënyrë të rregullt, por është shoqëruar me një episod të diskutueshëm, pas pranisë së kandidatit për deputet të Partisë Socialiste, Mustafa Coha, brenda ambienteve të qendrës së votimit.
Prania e tij u vërejt nga komisionerët e Partisë Demokratike, të cilët reaguan sipas rregullores për të ruajtur distancën neutrale të kandidatit nga vendi i votimit. Pas një komunikimi mes palëve, Coha është larguar, ndërsa situata për një moment ka krijuar debate verbale, por pa u kthyer në konflikt serioz.
Procesi i votimit në këtë qendër ka vijuar normalisht, ndërsa strukturat përkatëse janë njoftuar për të garantuar qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.