KAOS në Gjykatat e vendit, avokatët bojkotojnë të gjitha seancat

0

Kjo e martë gjen në kaos të gjitha gjykatat në mbarë vendin, me avokatët që kanë vendosur të bojkotojnë me 4 ditë të gjitha seancat, për shkak se janë kundër hartës së re gjyqësore, që është vendosur nga KLGJ, dhe që pritet të marrë miratimin final nga Ministria e Drejtësisë.

Harta e re gjyqësore, do të pasojë me mbylljen e 18 gjykatave në rang vendi, nga ato të shkallës së parë, te gjykatat administrative dhe ato të apelit. Për avokatët kjo sjell një kosto shtesë për shërbimin e tyre, por edhe për qytetarët, që tashmë nuk mund të marrin shërbim në zonën ku jetojnë.

Gazetari i Fax News Elvis Myrta, raporton se vetëm në gjykatat e shkallëve të ndryshme që janë në Tiranë, përfshirë dhe atë të Posaçme, numri i seancave që janë pezulluar për mungesën e avokatëve gjatë ditës së sotme, llogaritet të jetë rreth 200.

Në këto 4 ditë bojkot numri total pritet që të shkojë rreth 800, ndërkohë që Dhoma Kombëtare e Avokatisë, pretendon se protestat do të vazhdojnë, në rast se nuk do të ketë një reflektim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.

Pavarësisht se dje kreu i dhomës së avokatisë së Tiranës, Saimir Vishaj doli kundër bojkotit, sot është vënë re se thirrja e Maks Haxhisë në cilësinë e kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ka funksionuar.

Efekti i bojkotit është shtrirë në të gjitha gjykatat e vendit, nga Gjirokastra, në Fier, Kavajë, Korçë, apo në Shkodër. Në një prononcim për Fax News nga dyert e gjykatës së posaçme, avokati Ardi Leka u shpreh se harta e re gjyqësore nuk do të duhet që të ishte miratuar pa marrë më parë rekomandime dhe nga grupet e interesit.

Ardi Leka: Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur që për 4 ditë, në protestë të përgjithshme, të bojkotohet në mënyrë totale. Unë flas këtu edhe si përfaqësues i Dhomës së Avokatisë, kushdo që thyen bojkotin do të përballet edhe me masa. Është një vendimmarrje e gabuar nga ana e KLGJ-së, për më tepër që ne e kemi një eksperiencë të tillë të mëparshme, që na ka rezultuar negative.

Do të duhej që ky vendim të ishte konsultuar me të gjithë grupet e interesit. Një njeri nga fshatrat e Korçës, do të duhet të vijë disa herë në Tiranë, për të ndjekur procesin në apel, duke i mohua të drejtën që të ketë një proces normal. Ne nuk do të bëjmë luftë, do të vazhdojmë protesta të tjera, dhe do të ndjekim rrugën ligjore, besoj që do të ketë një reflektim.

Bojkoti do të vazhdojë deri ditën e premte, ndërkohë që sipas avokatit Maks Haxhia, heqja e gjykatave dhe përqendrimi i tyre në pak qytete mund të shkaktojë rritjen e vetëgjyqësisë, nga ana e qytetarëve, që prej vitesh tashmë përballen edhe me zvarritjen e dosjeve të tyre.

Haxhia është shprehur se bojkoti është rruga e vetme që shqetësimet e dhomës së avokatisë të dëgjohen, ndërkohë që dje ministri Manja bëri thirrje që avokatët të mos i braktisin seancat. Deri tani ende nuk është gjetur një marrëveshje për të ulur tensionet dhe bashkërenduar qëndrimet mes palëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu