Kapet me naftë kontrabandë në Qafë Thanë, arrestohet 38-vjeçari nga Elbasani

0

Policia Kufitare e Qafë Thanës ka vënë në pranga një 38-vjeçar nga Elbasani, i cili tentoi të fuste naftë kontrabandë nga Maqedonia e Veriut. Sipas Policisë gjatë kontrollit në dy serbatorët e kamionit u konstatua një sasi e konsiderueshme karburanti.

“Në vijim të punës së intensifikuar të shërbimeve të Policisë Kufitare, gjatë sezonit veror, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufij, në PKK Qafë Thanë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontrolle të detajuara, kamioni me drejtues shtetasin E. Q. Gjatë kontrollit në dy serbatorët e kamionit u konstatua një sasi e konsiderueshme karburanti. Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. Q., 38 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”. Gjithashtu u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasia e naftës”, njofton Policia.