Kapet shqiptari brenda ‘shtëpisë së barit’ në Britani, Hazizi: Jam i zhytur në borxhe

0

BRITANI E MADHE- Arnold Hazizi, 30-vjeç, është arrestuar në Rhyl të Britanisë së Madhe pasi u kap duke rritur bimë kanabisi brenda shtëpisë. Sipas mediave britanike, droga kapte vlerën e 848 mijë paundëve. Në momentin që policia ka bastisur shtëpinë e tij, 30 vjeçari është ngjitur në çati, duke hedhur në tokë dy telefona celularë që kishin mesazhe të cilat e lidhnin atë me trafikantë droge.

Pasi u arrestua, Hazizi pranoi në sallën e gjyqit se kultivonte kanabis dhe gjykata e dënoi me 22 muaj burg. Ai kërkoi dhe azil nga shteti britanik por gjykatësi tha se Hazizi do të deportohet në Shqipëri menjëherë pas përfundimit të dënimit.

Në dosjen e tij hetimore thuhet se Hazizi ishte i vetmi person që ndodhej brenda dhe tentoi të arratisej. Brenda shtëpisë së barit u gjetën 1010 bimë kanabisi, 25 ventilatorë, 136 drita dhe një sistem vaditjeje. Vetëm pajisjet kushtonin rreth 12,000 £.

Në gjykatë Hazizi deklaroi se në Shqipëri kishte punuar në fermën e tij familjare por për shkak të borxheve ishte detyruar të shkonte ilegalisht në Britaninë e Madhe. Ai pretendoi se qëndroi fillimisht te një mik i tij i quajtur Miri në Mançester dhe punoi për të.

“Jam i zhytur në borxhe në Shqipëri”-tha Hazizi.

Të dhënat në telefonin e tij dëshmuan se ai kishte qenë në kontakt me një burrë të quajtur Nino për t’u kujdesur për bimët dhe madje e mësonte Ninon se si të kujdesej. Mes tyre kishte 1000 mesazhe. Nga të gjitha provat e gjetura rezultonte se Hazizi e kryente aktivitetin e paligjshëm për më shumë se 7 muaj para se të arrestohej.

Avokati i shqiptarit Simon Killeen tha se klienti i tij rrezikohet në Shqipëri sepse ka shumë borxhe.

“Ai ka një grua, një fëmijë dhe prindërit atje. Erdhi në Angli në Janar të 2022-it. Rrezikohet në Shqipëri”-tha Killeen.

Gjykatësi tha se i pandehuri duhet të dëbohet në momentin e lirimit nga burgu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu