Kompania Kastrati SH.A ka ndërruar mendje nga plani për të blerë televizionin Euronews dhe ka hequr dorë nga kontrata me vlerë 2.37 milionë euro, duke ia rikthyer aksionet pronarit të mëparshëm Theodhoro Çami.
Kontrata e depozituar në regjistrin e biznesit qkb.gov.al tregon se të mërkurën më 6 korrik, palët kanë rënë dakord me mirëkuptim për të anuluar kontratën e 11 prillit dhe se nuk kanë pretendime të mëtejshme kundrejt njëra-tjetrës.
Euronews Balkans u themelua në vitin 2018 pas një kontrate franchise tetëvjeçare të lidhur mes kompanisë Inter Media Group, e cila ka edhe aktivitete të tjera në fushën e medias me kompaninë Euronews me bazë në Lion të Francës, në bazë të së cilës, kompania shqiptare përdor emrin, formatin dhe materialet e Euronews për një televizion informativ njëzet e katër orësh në Shqipëri si dhe në vendet e tjera të Ballkanit me popullsi shqipfolëse.
Gjithsesi, kompania nuk pati një ecuri shumë të mirë financiare dhe në fund të vitit 2020 arriti të kontrollonte vetëm 4.7% të tregut të reklamave, sipas të dhënave të analizuara nga BIRN.
Bilanci i Intermedia tregon se në vitin 2020, kompania kishte asete totale prej 724 milionë lekësh, ndërsa kapitali aksioner ishte minus 49.7 milionë lekë. Kjo do të thotë se kapitali i saj fillestar është shpenzuar tashmë për të mbuluar humbjet e akumuluara përgjatë viteve.
Shefqet Kastrati është pronari i shumë kompanive me aktivitete në fusha të ndryshme, nga tregtia e karburantit te turizmi apo ndërtimi si dhe disponon kontratat e koncesioneve të aeroportit të Rinasit dhe të autostradës Rrëshen-Kalimash.
Marrëveshja për revokimin e kontratës së shitjeve nuk jep shpjegime për shkaqet e prishjes së marrëveshjes së parë.