Vengu e Hoxha në landfillin e Elbasanit: Kemi ngritur grup pune. Do vendosen kamera termike

0

Zjarri në landfillin e Elbasanit është shuar prej tre ditësh, por ajo që mbetet pas është emergjenca mjedisore.

E teksa do të duhej të kishte një reagim nga Ministria e Mjedisit, sot në Elbasan ishin Ministri i Mbrojtjes dhe ai i Brendshëm të cilët u shprehën mirënjohjen strukturave të angazhuara në këtë situatë të rëndë. Ministri Vengu ndërkohë artikuloi atë që dihej edhe pa matje të specializuara, ndotjen e rëndë të shkaktuar në mjedis.

“Kemi pasur shkarkime në ajër të dioksidit të karbonit, patjetër i dëmshëm në masa të mëdha dhe më shumë i dëmshëm për personelin e ekspozuar direkt, ndaj dhe morëm masa për pajisjen e tyre me masa mbrojtëse. Për sa i përket elementëve të tjerë toksikologjik, na rezulton urbane s’ka shqetësime.”– tha Vengu.

Vangu shtoi se është ngritur një grup pune për rritjen e kapaciteteve për marrjen e masave në rast zjarri, por ende ngrihen shumë pikëpyetje mbi vijimin e funksionimit të këtij landfilli.

“Jemi në sintoni me Ministrinë e Mjedisit se operacionet nxjerrin në pah disa nevoja. Është një grup pune së bashku me bashkinë, ministrinë e Mjedisit dhe ekspertë të huaj të cilët do të japin shumë shpejt informacion mbi atë që e pret këtë zonë në të ardhmen.”– tha ai.

“Do të vendosen kamera termike për monitorim të vazhdueshëm dhe për ndërhyrje në kohë në rast rreziku. Gjithashtu, është ngritur një grup pune me ekspertizë vendase dhe të huaj, që do të japë një vlerësim të plotë mbi situatën dhe do të ndihmojë në përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve.”

Ministri i Brendshëm dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit gjithashtu vunë theksin tek mbingarkesa e këtij landfilli dhe nevoja e zgjidhjeve.