Katër minuta për t’i zhdukur thesaret e çmuara në Luvër, qeveria e Macron e pranon: Ne dështuam

0

Qeveria franceze ka mbajtur një takim urgjent pas vjedhjes spektakolare që u bë këtë fundjavë në muzeun e Luvrit. Sipas Ministrisë të Kulturës dëmet kanë qenë të ngjashme me Notre Damin.

Detajet e vjedhjes në Muzeun e Luvrit u dhanë nga ministrja e Kulturës, Rachida Dati, të hënën në mëngjes. Ndërsa, është planifikuar një takim urgjent i zyrtarëve qeveritarë me departamentin e sigurisë së Muzeut, në të cilin do të marrin pjesë si Ministrja e Kulturës ashtu edhe Ministri i Brendshëm, Laurent Nunes.

Ministri Nunes duke u shprehur për rrjetin CNews tha se hajdutët: “qëndruan në dhomë për 3 minuta e 57 sekonda, ose maksimumi 3 minuta e 52. Ata shkuan direkt te ekspozita, e dinin saktësisht se çfarë donin dhe vepruan me efikasitet të jashtëzakonshëm”.

Ndërkohë kolegia e tij raportoi gjithashtu se “një nga autorët u përpoq t’i vinte flakën ashensorit”, përmes të cilit hynë në Galerinë Apollo, një fakt që, siç tha ajo: “na la gjurmë të rëndësishme në vendin e krimit”.

Ministria e Brendshme “mbrohet”: Distemi i sigurisë funksionoi

Duke iu referuar kritikave se dritarja nga e cila hynë hajdutët nuk ishte e blinduar, Dati u përgjigj: “Ata përdorën një sharrë rrethore, e cila vepron si një eksploziv. Edhe nëse xhami do të ishte i blinduar, nuk do të kishte rezistuar.”

Dati sqaroi gjithashtu se alarmi “u aktivizua normalisht, por nuk bie brenda dhomës, vetëm në qendrën e kontrollit të sigurisë së muzeut ” .

Siç shpjegoi ajo, përparësia e rojeve ishte siguria e vizitorëve. “Një përfaqësues i sindikatës Sud tha dje se në procedurat e sigurisë detyra e parë është mbrojtja e jetës njerëzore, mbyllja e dyerve dhe largimi i publikut. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi”,theksoi Dati, duke mbrojtur qëndrimin e punonjësve të muzeut.

E pyetur për situatën e sigurisë në Luvër, Dati mbrojti veprimet e qeverisë, duke thënë se janë marrë masa, por “duhet kohë” për t’i zbatuar ato.

“Një audit sigurie u krye në vitin 2022, një rekomandim u dha në vitin 2024 dhe më pas presidenti njoftoi planin ‘Rilindja e Luvrit’”, tha ministrja e kulturës. Ajo shtoi: “160 milionë euro u ndanë për sigurinë dhe tani kemi filluar të zbatojmë masat ”, duke sqaruar se zbatimi “kërkon kohë”.

“Ne dështuam”, është qëndrimi i shprehur nga qeveria franceze

“Dështuam… kjo është e sigurt.” Me këto fjalë, ministri francez i Drejtësisë Gérald Darmanin pranoi të hënën në mëngjes, gjatë një interviste me stacionin radiofonik France Inter , paaftësinë e shtetit për të parandaluar vjedhjen e madhe në stilin hollivudian në Muzeun e Luvrit.

Autoritetet “ dështuan ” të parandalonin vjedhjen e tetë xhevahireve mbretërore, gjë që dërgon “një imazh shumë negativ të Francës” në të gjithë botën, tha Darmanin .

“Ajo që është e sigurt është se dështuam”, tha ministri francez, “sepse kriminelët arritën të nxirrnin një ashensor mallrash në një rrugë publike, të ngjiteshin sipër dhe brenda pak minutash të merrnin xhevahiret”.

Në të njëjtin kontekst, Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, nuk e përjashtoi përfshirjen e një vendi të huaj në këtë vjedhje. Siç deklaroi ajo për kanalin CNews , prokurorja përgjegjëse për hetimin e grabitjes në Luvër “nuk përjashton asnjë rast, përfshirë një të lidhur me vendet e huaja”.