“Kemi larguar 10 fëmijë”, drejtuesit e çerdhes zbojnë 1-vjeçarin sepse qan

0

TIRANË-Besarda Mehmetaj thotë se ka një fëmijë 1 vjeç, që e regjistroi në janar në çerdhen numër 3 “Dritë” në Kamëz.

Ajo tregon se e linte vetëm një orë fëmijën, pasi e thërriste edukatorja duke i thënë që po qante.

“E kam lënë shumë pak që fëmija të ambientohej. Orari është 7 me 5. Ndërkohë fëmijën unë e çoja diku tek ora 8 dhe pas një ore edukatorja më merrte dhe më thoshte që fëmija qan. Kjo ka vazhduar për më shumë se 1 muaj rresht. Në Shkurt i kam thënë që fëmija do rrijë më shumë, unë jam në punë dhe nuk mund ta marr dhe ta mbaj në shtëpi. Edukatorja më çonte video ku djali luante, qëndronte dhe herë pas here qante normalisht si fëmijë 1-vjeçar. Pastaj sa shkonte ora 11 edukatore Xhensila më merrte dhe më thonte që merre fëmijën sepse po qan”, tha ajo.

Situata arriti deri në pikën që edukatore Xhensila i thotë, se mund ta lerë në kopsht deri në fund të javës, pasi nuk merreshin dot me fëmijën e saj.

“Të mërkurën kur e kam sjellë bashkë me bashkëshortin fëmijën më është thënë që ky fëmijë do mbahet deri të premten që jemi sot dhe më pas nuk mund ta mbajmë më sepse ky fëmijë qan”, tha denoncuesja.

Besarda thotë, se u detyrua të marrë një zonjë, që t’i mbante djalin, por nuk ia del dot.

Me kamera të fshehtë, nëna e fëmijës takon drejtoreshën e çerdhes “Dritë”, e cila i thotë, që djalin ta mbajë në shtëpi, pasi nuk kanë se çfarë t’i bëjnë.

Drejtuesja e institucionit, si pa të keq, përmend edhe 10 fëmijë të tjerë që janë larguar, pasi edukatoret ishin të paafta për t’i mbajtur.

Qytetarja: Si kaluat?

Drejtoresha: Çfarë bëre ti?

Qytetarja: Mirë! Si je ti? Si do ia bëjmë me Amarin?

Drejtoresha: Me Amarin?

Qytetarja: Po!

Drejtoresha: Unë të kam thënë, që ai qan, por mbaje një periudhë!

Qytetarja: Meqë ai qan, edukatorët më fal, po për çfarë paguhen?

Drejtoresha: Për Zotin janë munduar!

Qytetarja: Se paguhen me taksat tona në radhë të parë.

Drejtoresha: Ke të drejtën e të gjithë botës, por tashi ka fëmijë, që nuk stabilizohen përnjëherë. Do pak periudha…

Qytetarja: Por fëmija nuk mund të stabilizohet, kur unë sa shkoj, e kam fëmijën këtu poshtë te lokali, kemi lokalin. Unë sa shkoj deri aty, Xhensila më thotë hajde merre fëmijën!

Drejtoresha: E di, e di!

Qytetarja: Hajde merre! Më fal, unë nëse e sjell, e sjell nga halli.

Drejtoresha: Ke të drejtë ore…

Qytetarja: Se jam në punë, jam me kredi, jam me hallet e mia.

Drejtoresha: Unë të thashë edhe një gjë atë ditë, mbaje pak, ca ditë…!

Qytetarja: Këtu janë djali, edhe në momentin, që e kanë marrë, e kanë fut brenda djalin, djali nuk ka qajt fare.

Drejtoresha: Jo vetëm qan aty poshtë, qan aty brenda, sa të rrijë pak, domethënë kaloi 10 minuta, dhe pastaj mbajmë në krahë, vendose në karrocë, merre domethënë gjithandej dhe nuk pushonte. Për një fëmijë, që qan gjatë gjithë kohës, mendo, që është e vështirë edhe për neve këtu brenda. Jo të gjithë fëmijët rrinë në çerdhe, këtë ta kesh të ditur. Nga këtu kanë ikur të paktën nja 10-të. A më kupton? Jo vetëm djali jot!

Qytetarja: Po!

Drejtoresha: Ka qenë edhe një vajzë tjetër. I kam hyrë vetë kam ndenjur 2 orë e gjysmë me të. Nuk kam lënë gjë pa bërë në telefon, me lojë duke luajtur, si nuk pushonte gjallë në botë.

Qytetarja: Ne kemi urdhër nga lart, për të mos mbajt fëmijën.

Drejtoresha: Nuk ka urdhër nga lart! Mos e diskuto mo, e ka thënë gabim, e pamenduar, e pamenduar. Unë fëmijë dua, por një fëmijë, që nuk mësohet është vështirë edhe për neve. Ka qenë një fëmijë lart i rritur, e kemi ndërruar në 4 grupet, nuk u mësua gjallë në botë! Çfarë të them më tjetër? Unë, detyrimi im është për të mbajtur fëmijët, për një fëmijë, që nuk mësohet, në çfarë të bëj?/Marre nga Tv Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu