Është zbardhur përmbajtja e letrës kërcënuese që i është dërguar gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, Arnisa Këlliçi. Në letër thuhet se gjyqtarja ka dy fëmijë dhe se duhet të mendojë për ta.
“E dashur Arnisa. Keni dy fëmijë ….. dhe ….. Mendoni për ta! Si mund të rroni ju, e jo ata e kjo është e vërtetë. Me respekt…”– thuhet në letrën dërguar gjyqtares.
Ky kërcënim dyshohet që të ketë ardhur nga burgu, teksa gjyqtarja Arnisa Këlliçi ka kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ti mundësohet mbrojtje e posaçme.
Kërkesa e gjyqtares:
Të nderuar!
Para pak ditësh më është bërë me dije nga Kancelari i kësaj Gjykate që kundrejt meje, gjyqtares Amisa Këlliçi, ka patur një kërcënim me jetë.
Për këtë fakt unë nuk kam prova, por më është bërë me dije se ka një kallëzim të depozituar nga ana e Kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Sot më datë 20.01.2024, më ka ardhur një letër kërcënuese, që me aq sa mund të deshifroj përmban kërcënime për mua, fëmijët e mi dhe familjen time.
Unë nuk mund të atestoj në asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre.
Thënë kjo, për çdo eventualitet, unë kërkoj një mbrojtje të posaçme, për aq sa ju e shihni të nevojshme.