TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar kërkesën e SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë drejtuar Parlamentit. Gjatë një deklaratë për mediar Berisha ka theksuar se përsa kohë që kjo kërkesë kalon nga Kuvendi, ai është i gatshëm që ta respektoj. Berisha ka shtuar se ka qenë ai që ka kërkuar në vitin 2012 që deputetët të mos mbroheshin nga Kuvendi. Ai ka theksuar se fillimisht do e lexojë shkresën, por që në parim është 100% dakord.
“Në vitin 2012, Sali Berisha ka dërguar në parlament, abrogimin nga Kushtetuta të çdo lloj mbrojtje të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ky amendament i qeverisë, është kundërshtuar në mënyrë të prerë nga Edi Rama dhe është pranuar vetëm lejimi i hetimit të deputetëve. Kështu që unë kam deklaruar edhe unë këtu para jush se jam i gatshëm ta votoj vetë këtë ligj edhe sot dhe nuk kam asnjë kundërshtim. Nëse unë nuk kam pranuar urdhrin e gjykatës dhe SKAP-it nuk e kam pranuar sepse ajo është shkruarje e kushtetutës. Kam mbrojtur parlamentin dhe pushtetin e tij dhe absolutisht jo, Sali Berishën. Pra unë kam refuzuar të zbatoj një urdhër antikushtetues nga një gjykatës tërësisht në konflikt interesi. E shkarkuar nga unë në datën 8 shkurt 1996 dhe që e fsheh këtë fakt. Por, përsa i përket konsistencës time ndaj propozimit 2012 ajo qëndron plotësisht. Unë jam që deputetët të mos kenë asnjë lloj dallimi nga qytetarët e thjeshtë në Kushtetutë.
Kjo është një kërkesë krejtësisht normale dhe unë do ta lexoj shkresën me më hollësi, por në parim jam 100% dakord, nuk duhet të ketë për deputetët mbrojtje. Ajo është mbrojtje parlamenti, unë kam mbrojtur parlamentin jo Sali Berishën. Por që një gjykatës të thotë se, nuk është heqje lirie heqja e daljes jashtë shtetit, ku kushtetuta sanksionon një nen të veçantë për daljen jashtë shtetit të shtetasve. Kjo është tallesh me kushtetutën, ose të rishkruash kushtetutën. Unë kam mbrojtur thjeshtë pushtetin e parlamentit. Do parlamenti që ta dorëzoj që nesër, unë e votoj që nesër. Nuk kam asnjë kundërshtim. Nuk mund të ketë. E kam thënë dhe e them. Besoj se isha i qartë në këtë pohim timin. Kanë gabuar rëndë ata që kanë kujtuar se unë nuk paraqitem. Unë e kam thënë me dhjetëra, jam paraqitur dhe paraqitem. Por në këtë rast kemi të bëjmë me shkruarjen e kushtetutës, një akt puçist. Marrje pushteti për llogari të Edi Ramës, nga gjykatës dhe prokurorë të përgjegjshëm. Kaq,” tha Berisha.