FIER- Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka mbërritur në Gjykatën e Fierit ku do të zhvillohet seanca për shqyrtimin e kërkesës për lirimin me kusht nga burgu. Mësohet se shërbimi i Provës do paraqesë raportin e saj në bazë të të cilit do të vendoset për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për lirim me kusht të ish-deputetit demokrat.
Ervin Salianji është dënuar me një vit burg për dosjen “Babale”. Ai është dënuar së bashku me Albert Veliun, që pritet të vuaj dënimin me 10 muaj burg si dhe gazetarin Jetmir Olldashi me 100 orë punë komunitare.
Shkalla e parë vendosi që Salianji të dënohet për kallëzim të rrëmë, në lidhje me një denoncim që ka bërë për vëllanë e ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa. Në audio-përgjimin që publikoi Salianji, thuhej se Agron Xhafa ishte pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.