Jonida Proga, motra e të ndjerit Egli Proga, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili ka vendosur të promovojë prokuroren Vasjana Postol, duke e transferuar nga Korça në Elbasan.
Ajo është pikërisht prokurorja që kishte në dorë dosjen e vdekjes së Egli Progës në Gusht 2024 në Korçë, dhe arriti në përfundimin se 42 vjeçari ndërroi jetë pasi u godit me grusht nga Denis Meçe.
“Bravo KLP – krenaria e prokurorit e vendit tonë! Për punë të përkryer e promovuat prokuroren e vëllait tim nga Korça në Elbasan. Pse nuk e sollët në Tiranë më mirë?
Faleminderit Prof. Mirela! Po të masakrohej vëllai yt nga kriminelët e gjobaxhinjtë, a do e dekoroje prokuroren që tha “vdiq nga një ‘grusht’”? Faleminderit të gjithë anëtarëve të KLP që mbyllni sytë sa herë votoni, për të mos parë ç’keni para”, shkruan Jonida Proga.
Egli Proga, 42 vjeç, ndërroi jetë në 10 gusht 2024, pasi u rrah nga shtetasi Denis Meçe, sipas organit të akuzës.
Instituti i Mjekësisë Ligjore bëri me dije se gjatë ekspertizës janë konstatuar dëmtime të mëdha në trupin e viktimës, kryesisht në ballë, në hundë, vesh, në faqe, në supin e matë të cilat janë shkaktuar me mjet të fortë mprehës, siç mund të jetë edhe goditja me grusht.
Sipas aktit të ekspertimit, shkaku i vdekjes së 42-vjeçarit ishte: “hemorragji në cipen e trurit dhe hemorragji e indit trunor”. Gjithashtu ndër të tjera thuhet se në mostrën e gjakut të Egli Progës u zbulua prani e alkoolit etilin në vlerën mesatare 2.82 g/ L.
Lidhur me këtë ngjarje policia e Korçës ka arrestuar shtetasin Denis Meçe nën akuzën për vrasje me dashje. Mirëpo, Prokuroria e Korçës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për 29-vjeçarin, nga vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia, gjë e cila solli dhe revoltë të familjarët si dhe një “ping-pong” mes institucioneve të drejtësisë të cilët “pasonin” përgjegjësinë dhe fajin.
Ndërkohë, në dëshminë e dhënë para hetuesve i riu tha se ai e ka qëlluar me shpullë Progën vetëm për ta qetësuar.
“Unë kam dashur t’i fus një shpullë ta qetësoja por, sa i jam afruar kam ngritur dorën ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më”, tha Meçe më herët, dëshmi e cila bie poshtë nga ekspertiza mjeko-ligjore e cila ka konstatuar se 42-vjeçari është dhunuar brutalisht.
Denis Meçe, si autori i dyshuari vrasjes së babait të dy fëmijëve, më herët ofroi përmes avokatit të tij 10 milionë lekë të vjetra si garanci pasurore, që të mos qëndronte pas hekurave deri në përfundim të hetimeve. Ai kërkoi falje, por sqaroi se nuk kishte dashur ta vriste 42 vjeçarin.





