PARMA, ITALI – Kombëtarja shqiptare e futbollit u mposht këtë të premte 0-3 nga Kili, në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës në Itali. Kuqezinjtë u dukën të pafuqishëm përballë amerikano-latinëve, me ndeshjen që ishte e para mes dy skuadrave në histori dhe foli për djemtë e Ricardo Gareca. Trajneri i ri i Kilit debuton me fitore në stolin e ekipit.
Ndeshja u zhbllokua pas vetëm 20 minutave lojë nga Edu Vargas, me tanët që kontenstuan golin për prekje të topit me dorë, por kryesori italian Luca Pairetto e cilësoi të rregullt. Paçka se djemtë e Sylvinhos u përpoqën duke sulmuar, nuk ia dolën të barazonin.
Edhe pjesa e dytë foli për miqtë, që shënuan në fundin e lojës. Bolados, vetëm pak sekonda në fushë si zëvendësues i Sanchez shënoi në të 84 minutë. Më pas ishte Davilla në shtesën e dytë që “vulosi” ndeshjen në 0-3.
Në pjesën e dytë trajneri Sylvinho hodhi në fushë edhe Laçin, Muçollin, Brojën, Muçin dhe Arbër Hoxhën, me këtë të fundit që debutoi si kuqezi. Për t’u evidentuar edhe një rast i pastër i humbur nga Armando Broja që s’u koordinua si duhet në zonë.
Në sfidën e kësaj të mërkure stadiumi në Parma u mbush me kuqezinj, teksa tifozët nuk e braktisën ekipin dhe ishin më shumë se 13 mijë zemra kuqezi në mbështetje të djemve në fushë, duke dhuruar një atmosferë të zjarrtë.
Prova e parë gjenerale e Euro 2024 rezultoi jo e duhura për tanët, që vetëm pas tre ditësh do luajnë kundër Suedisë në Stockholm.
Komentet kryesore të ndeshjes:
90+4′ Mbyllet 0-4 ndeshja.
90+2′ Kili gjen edhe golin e tretë me Davila.
84′ Shqipëri 0-2 Kili. Dyfishojnë amerikano-latinët. Bolados shënoi gol në të 84 minutë, teksa kishte vetëm pak sekonda në fushë, duke marrë vendin e Sanchez.
78′ Arbër Hoxha debuton si kuqezi, futet në vend të Seferit.
72′ Ernest Muçi zë vendin e Nedim Bajramit.
68′ Rey Manaj i lë vendin Armando Brojës.
46′ Fillon pjesa e dytë, Sylvinho asnjë ndryshim.
45′ Mbyllet 0-1 pjesa e parë.
19′ Shqipëri 0-1 Kili. Vargas kalon Kilin në epërsi pas një aksioni të gjatë. Goditja nga jashtë zone ndalet në rrjetë. Tanët protestuan te arbitri për një prekje me dorë, teksa gjithçka u cilësua si e rregullt.
7′ Ylber Ramadani ndëshkohet me karton të kuq.
1′ Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga tanët.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4-2-3-1): Strakosha; Hysaj, Mihaj, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani; Bajrami, Asani, Seferi, Manaj Trajner: Sylvinho
Kili (4-2-3-1): Bravo; Isla, Diaz, Lichnovsky, Suazo; Nunez, Echeverria; Davila, Alexis Sanchez, Osario; Vargas Trajner: Ricardo Gareca