Komiteti i përbashkët Shqipëri-Azerbajxhan/ Shahbazov: Shqipëria, plane ambicioze në energjetikë me ndikim rajonal

0

Komiteti i përbashkët Shqipëri-Azerbajxhan, mbajti sot (04.05) në Tiranë  punimet me fokus zhvillimet ekonomike, teknologjike dhe industriale.

Në kuadër të punimeve të këtij komiteti u nënshkrua edhe protokolli i bashkëpunimit dypalësh në fusha të tilla si energji, transport, agrikulturë, edukim apo kulturë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një prononcim pas nënshkrimit të protokollit, deklaroi se nënshkrimi i protokollit i hap rrugëz zbatimit të projekteve të dakordësuara në punimet e Komitetit, por edhe thellimit të marrëdhënieve.

Shqipëria dhe Azerbajxhani festojnë këtë vit 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Fusha energjetike është ajo që ka interesin më të madh mes dy palëve, duke pasur parasysh projektet e rëndësishme, si gazifikimi i Korçës, ekspansioni i konsorciumit TAP, si dhe gazi i lëngshëm në Triportin e Vlorës”, deklaroi Balluku.

Por nga ana tjetër, vuri në dukje Balluku, u diskutua mbi rrugët e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera si transport, agrikulturë, edukim, kulturë, etj.

“Një tjetër fushë me interes për bashkëpunim midis dy vendeve tona është ajo e transportit, me fokus kryesor transportin ajror. Vendosja e një linje ajrore mes Tiranës dhe kryeqytetit të Azerbajxhanit, Baku, është një kërkesë e dy vendeve”, tha Balluku.

 

Delegacioni i Azerbajxhanit kryesohej nga ministri i Energjisë i Azerbajxhanit, Parviz Shahbazov i cili deklaroi sot në Tiranë se Shqipëria ka plane shumë ambicioze për zhvillimin e sektorit energjetik të vendit, të cilat janë të rëndësishme jo vetëm në pikëpamjen e kërkesës së brendshme për energji, por gjithashtu për të gjithë rajonin.

Në një prononcim në krah të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas punimeve të Komitetit të përbashkët që u mbajt sot në Tiranë, Shahbazov tha se mbajtja e Komitetit të përbashkët me Shqipërinë është i rëndësishëm për rritjen e nivelit të diskutimit në komisione ndërqeveritare dhe që tregon marrëdhënien aktuale të dy vendeve tona.

“Sot ishte një ditë e shkëlqyer për të diskutuar të gjitha sferat e ekonomisë dhe energjia ishte një nga pikat më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë. Është e rëndësishme të theksojmë që Shqipëria dhe Azerbajxhani janë pjesëmarrës në projektet e rëndësishme infrastrukturore të energjisë, në korridorin jugor të gazit. Shqipëria ka plane shumë ambicioze për zhvillimin e sektorit energjetik të vendit, të cilat janë të rëndësishme, jo vetëm në pikëpamjen e kërkesës së brendshme për energji, por gjithashtu për të gjithë rajonin”, deklaroi ai.

Ai siguroi për mbështetje për të çuar para iniciativat në sektorin energjetik.

“Azerbajxhani është i vendosur të mbështesë Shqipërinë në këto iniciativa dhe të punojmë bashkë për të gjitha diskutimet në sektorin energjetik. Por nuk kemi kufizuar diskutimin vetëm për energjinë. Diskutuam gjithashtu për tema të tjera me rëndësi për zhvillimin ekonomik, si industria, agrikultura, transporti, infrastruktura, teknologjia moderne. Ramë dakord për të zhvilluar më tej këtë dialog”, shtoi Shahbazov.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu