Konçensioni i sterilizimit/ SPAK hap regjistrat e vitit 1991, ish-zv.ministri i arrestuar dhe Ilir Rrapaj shokë shkolle

0

TIRANË- Detaje nga dosja hetimore për koncensionin e sterilizimit janë bërë publike. Në dosjen e publikuar nga gazetarja Klodiana Lala, bëhet me dije se njohjet mes ish-zv.ministrit të Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj kishin nisjen nga viti 1991, pasi ata ishin studentë në fakultetin e Mjekësisë. Sipas SPAK, njohjen mes Rrapajt dhe Rjepajt e konfirmoi dhe një bashkëstudente e tyre me iniciale D.N.

Pjesë nga dosja hetimore:

Më 2 nëntor 2021 në Universitetin e Mjekësisë është kryer këqyrja e dokumenteve të mbajtura për ndjekjen e studimeve nga shtetasi Klodian Rjepaj në këtë Universitet. Nga këqyrja rezultoi se shtetasi Klodian Rjepaj ka ndjekur vitet akademike në vitet 1990-1998, të ndara në dy periudha. Në vitet 1990-1994 dhe më pas në vitin 1994-1995 nuk ka frekuentuar studimet, për vitin 1995-1996 ka dhe shënimin “përsërit vitin”. Edhe për vitin 1996-1997 nuk ka shënime në regjistër. Më pas rezulton se ky shtetas ka kryer studimet në vazhdim në vitet akademike 1996-1997, 1997-1998 kur dhe është diplomuar.

Në këto regjistra vërehet se ka ndjekur studimet akademike në mjekësi edhe shtetasi Ilir Rrapaj.

Në regjistrin 8 Mjekësi, ku ndodhet emri i shtetasit Klodian Rjepaj, dy rreshta mbi të është i shënuar emri i shtetasi Ilir Rrapaj, të cilët për vitet akademike 1991-1992, 1992- 1993, 1993-1994, kanë ndjekur bashkë vitet akademike. Për vitin akademik 1994-1995 ashtu si Klodian Rjepaj, edhe shtetasi Ilir Rrapaj nuk ka frekuentuar studimet.

Për vitin akademik 1995-1996 ashtu si Klodian Rjepaj edhe shtetasi Ilir Rrapaj ka shënimin “Përsërit vitin”.

Edhe për vitin akademik 1996-1997 nuk ka shënime në regjistër. Gjithashtu, në të njëjtin regjistër në “regjistrin 7”, ku ndodhet emri i shtetasit Ilir Rrapaj, vërehet emri i shtetasi A.LL. i cili ka përfunduar studimet në vitin akademik 1994-1995.

Shtetasi A.LL. rezulton të jetë Drejtor në kompaninë Koncesionare Sani Service që nga krijimi i saj.

Gjithashtu, ai është administrator i kompanisë “Gamaservice”, kompani e cila ka transaksione në shitjet e kryera nga Koncesionari Sani Service për periudhën Prill 2020-dhjetor 2021 në vlerën 116 966 534 lekë (referuar informacionit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve). Nga përmbajtja e këtyre akteve rezulton se Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj kanë ndjekur bashkë studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitet 1991-1994 (1995-1996 të dy nuk kanë frekuentuar studimet). Gjithashtu, këta të fundit kanë përfunduar studimet me shtetasin A. Ll.

Gjithashtu më 22 dhjetor 2021 është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasja D. N., e cila kur është pyetur lidhur me faktin nëse ka njohje me shtetasit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj ka deklaruar se: “Klodianin e kam pasur shok gjatë kohës së ndjekjes së studimeve universitare në Universitetin e Mjekësisë në vitet 1990-1992. Më pas unë jam larguar nga Shqipëria dhe kam vazhduar studimet në vitin 1995. Në dijeninë time edhe Klodiani është larguar një vit në Greqi dhe ka lënë studimet e i është rikthyer përsëri më vonë. Gjithashtu kam punuar me Klodianin në Institutin e Shëndetit Publik në vitet 2008-2013, ku Klodiani ka qenë menaxher i programit kombëtar të HIV-AIDS.

Sa i përket njohjes me biznesmenin, D.N. ka deklaruar: Po e njoh Ilir Rrapajn pasi është nga Vlora dhe kemi qenë studentë bashkë në fakultet, Iliri ka qenë në një brez me mua dhe Klodianin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu