Konsulli i shkarkuar i shkruan Kurtit, i tregon për skandalet e ministres Gërvalla

0

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka shkarkuar 11 zyrtarë të shërbimit të jashtëm, me arsyetimin që procedurat për rekrutimin e tyre kanë qenë jashtëligjore. Në mesin e zyrtarëve të shkarkuar, është edhe Gramos Begolli, i cili deri sot shërbente si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Hamburg të Gjermanisë.

Sikurse edhe disa emra të tjerë që janë përfshirë në vendimin për shkarkim, pakënaqësi të mëdha ka shfaqur edhe Begolli, i cili ka nisur edhe një letër në adresën zyrtare kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Shkarkimin e pranuar sot, Begolli e ka quajtur “hakmarrje klasike” nga ministrja Gërvalla në letrën që ia ka nisur Kryeministrit Kurti, e të cilën e ka siguruar Gazeta Express. Po ashtu, Begolli thotë se shkarkime të tilla i kujtojnë spastrimet politike në kohën e komunizmit.

Begolli, i është ankuar Kryeministrit Kurti për sjellje arrogante nga Ministrja Gërvalla, sidomos nga 16 shkurti, kur ajo, jashtë kanaleve zyrtare, përmes një mesazhi në Whatsapp, i kishte kërkuar ish-konsullit Begolli që ta ftojë në ngjarje edhe Muhamet Idrizin dhe t’i kërkojë falje që s’e kishte ftuar më herët.

Kjo kërkesë dhe ndërhyrje e Gërvallës, kishte shkaktuar përplasje mes saj e Begollit, i cili vetëm një ditë pas Ditës së Pavarësisë, i kishte shkruar një email zyrtar kryeministrit, duke i treguar për veprimet joprotokollare që kishte bërë ministrja.

Në letrën që Begolli i ka dërguar sot Kurtit, ai thotë se me datën 17 shkurt, Gërvalla kishte vendosur të udhëtonte drejt Hamburgut, vetëm e vetëm që ta ngacmojë atë, pas përplasjes që tashmë kishte ndodhur.

Në vend që të merrte pjesë në funksionet e saj të planifikuara ndërsa vendi ndërsa vendi po shënonte 14 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, znj. Gërvalla mori një vendim impulsiv në minutën e fundit për të udhëtuar në Hamburg me qëllim që të më ngacmonte, ta thyente agjendën e planifikuar dhe t’i jepte rëndësi një personi të paftuar, e gjithë kjo për shkak të lidhjes politike me të. Para dhe  pas mbërritjes së saj në Hamburg ajo komunikoi me mua në mënyrë joprofesionale dhe nënçmuese”, thuhet në letrën e Begollit për Kurtin.

Në këtë letër, Begolli ka pyetur se si do t’i përballojë  Gërvalla angazhimet më stresuese të politikës, nëse ajo merr këso vendime impulsive dhe braktis festimet e Ditës së Pavarësisë vetëm sa për ta ndihmuar një mik të saj. Ai ka thënë po ashtu, se shkarkimi i tij, vetëm dy javë para se t’i përfundojë mandati, i kujton “spastrimet e kohës së komunizmit të kuadrove të padëshiruar”.

Tutje, Begolli ka thënë se shkarkimi i erdhi në mënyrë aq të shpejtë, saqë nuk mbeti kohë as për takime lamtumirëse me zyrtarë të vendit nikoqir e as nuk u bë një plan për pranim dorëzim të detyrës. Ai ka thënë se kjo gjë do të lë përshtypje të keqe te shteti gjerman.

Sipas Begollit, komunikimi me media, për veprimin e sipërpërmendur të Gërvallës gjatë festës së pavarësisë, e kanë shtyrë Gërvallën drejt shkarkimit të tij.

Mund të konkludohet lehtë se ndërveprimet e mia me mediat në shërbim të fjalës së lirë dhe të vërtetës e çuan znj. Gërvalla drejt këtij vendimi. Shkarkimi im dhe agresioni i shfaqur përmes aktit – përveç shkeljeve të mëparshme ndaj meje dhe protokollit zyrtar – mund të kuptohen vetëm si hakmarrje klasike!”, ka shkruar ai.

Në fund, Begolli porosit Kurtin se ai do të ankohet te instancat përkatëse ligjore dhe i ka ofruar bashkëpunimin e tij në rast se ai ka interesim për ta trajtuar këtë çështje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu