Kontrolle për sigurinë ushqimore, Sula: Inspektime të imtësishme në doganat më të mëdha

0

Pikat kryesore kufitare do të jenë në fokus të kontrolleve të shtuara për rritjen e sigurisë ushqimore. Autoritetet bënë të ditur se nëse abuzimet nuk verifikohen që në hyrje, ato janë shumë të vështira për tu zbuluar më tej.

“Duhet të kontrollojmë edhe çfarë hyn në import, por edhe çfarë nxjerrim në eksport, sepse ajo ‘tubë’ ushqimi që vjen çdo ditë në Shqipëri hyn nga porti i Durrësit, Hani i Hotit, Kapshtica dhe Kakavija. Nëse nuk jemi të kujdesshëm për ta ndaluar në kufi, sapo futet në treg nuk e kap dot më, siç ishte rasti i misrit me aflatoksinë”, tha Dashnor Sula, kryetar i Inspektoratit të Përgjithshëm.

Sula tha se do të ndjekë nga afër inspektimet në doganat më të mëdha.

“Duke filluar nga nesër, unë si Inspektor i Përgjithshëm do të jem në pikat doganore, duke nisur nga Hani i Hotit, bashkë me Blerina Gjylametin si kryeinspektore e AKU-së, për t’u dhënë mesazhin të gjithë operatorëve që veprojnë si në kufi ashtu edhe brenda Shqipërisë se do të bëjmë maksimumin për të parandaluar mallrat jashtë standardeve, si ato që futen në vend ashtu edhe ato që dalin”, tha Sula.

Vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2026, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka raportuar 5 raste të bllokimit të mallrave të ndryshme që rezultonin jashtë standardeve.