Korridori VIII shpallet pjesë e infrastrukturës kritike ushtarake të NATO-s

0

Korridori VIII, që nis nga kompleksi portual Durrës–Porto Romano dhe shtrihet drejt Detit të Zi, është përfshirë zyrtarisht në planet dhe infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s, duke u njohur si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive të Aleancës.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në përfundim të Ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare, të mbajtur në Bruksel.

Sipas ministrit, ky vendim e pozicionon Shqipërinë si një nyje strategjike në arkitekturën e sigurisë euroatlantike dhe e vendos vendin në qendër të planeve rajonale dhe investimeve infrastrukturore ku NATO do të përqendrohet në vitet në vijim.

“Përfshirja e Korridorit VIII është rezultat i një pune disa vjeçare, të disiplinuar dhe të qëndrueshme. Është një arritje konkrete që e vendos Shqipërinë në zemër të planeve rajonale dhe të infrastrukturave prioritare të Aleancës”, theksoi Vengu.