Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa nesër mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që do të shqyrtojë shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Dhionisios (Alfred) Beleri.
Në projekt vendim shkruhet se kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës nuk mund ta ushtrojë detyrën.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me shkresën nr.933/1 prot, datë 1.07.2024, ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shkurtimin e vendimit penal nr. 26, datë 25.06.2024, dhënë në ngarkim të z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri.
Sipas këtij vendimi të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur lënia në fuqi e vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sipas së cilës është vendosur: “Deklarimi fajtor i të pandehurve Pandeli Kokaveshi dhe Dhionisios (Alfred) Beleri, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
Në nenin 2 pika 1 shkronja “b” e ligjit 138/2015 “ Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, përcaktohet se vepra penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K.Penal hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj.