Krasniqi: Kurti po frikësohet, po kalon përgjegjësinë e referendumit tek Kuvendi

0

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se kryeministri Kurti po frikësohet prandaj dëshiron që ta zhvendosë përgjegjësinë nga qeveria tek Kuvendi. Me anë të një postimi në Facebook Krasniqi ka shprehur se Kurti po i frikësohet përgjegjësisë për referendumin e Serbisë. Gjithashtu ai ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme.

“Kryeministri Kurti nuk ka pse të fshihet prapa seancës së Kuvendit! Qëndrimi i Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë është i drejtë. Partia Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera opozitare i kanë shprehur qëndrimet e tyre që janë në linjë me qëndrimin e Qeverisë.

Andaj, çfarë arsye ka që të mbledhet Kuvendi për të diskutuar më shumë për këtë temë? Për t’ia rishprehur këto qëndrime njëri-tjetrit? Apo për të gjuajtur përgjegjësinë nga Qeveria te Kuvendi? Nëse ky është qëllimi, atëherë Kryeministri po frikësohet.

Sepse, kompetenca dhe autoriteti është i Qeverisë për të vendosur moslejimin e referendumit dhe për ta zbatuar atë vendim. Pse pra kërkon Kryeministri seancë, nëse ligjërisht kjo është e panevojshme? Referendumi i Serbisë në Kosovë do të ishte antikushtetues dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk duhet lejuar. Por, Kushtetutën e ruajnë instrumentet e pushtetit ekzekutiv e jo Rezolutat e Kuvendit, që nuk janë obligative as për Qeverinë.

Prandaj, PDK sot nuk merr pjesë në seancë, sepse nuk duam që të bëhemi pjesë e ikjes së Kryeminstrit nga përgjegjësia e tij ligjore e kushtetuese e as pjesë e shout të tij politik të paramenduar. Krejt çka duhet të bëjë Kryeministri është që të mos tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të sigurojë zbatimin e vendimit për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Ai për këto veprime e ka mbështetjen edhe të partive opozitare, andaj nuk ka nevojë të fshihet pas seancës së sotme të Kuvendit.”-shkruan Krasniqi në postmin e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu