Kremtimi i Krishtlindjes! Nis mesha e shenjtë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, në Shkodër, Lezhë e në të gjithë vendin

0

Në Tiranë mesha e Vigjiljes së Krishtlindjes nisi në orën 23:00 në Katedralen e Shën Palit dhe vazhdon deri pas mesnate. Më parë u mbajt një koncert me këngët e Krishtlindjes me Korin e Engjejve. Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin po kremtojnë Krishtlindjen.

Ndërsa nesër mbahet mesha e Krishtlindjeve në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”.

Ipeshkovi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta përmes një videomesazhi urimin për Krishtlindje ia përcolli grave dhe vajzave të dhunuara.

Urimi im në këtë Krishtlindje është për ju, të dashura vajza dhe gra. Ne ju falemi për butësinë që i sillni botës! Ju jeni të bekuara mbi të gjitha krijesat dhe e bekuar është çdo buzëqeshje e juaja. Uroj t’ju shoh gjithmonë të qeshura e të gëzuara në zemër! Përshumot Krishtlindja!”.

Në Nazaret, qyteti ku të krishterët besojnë se Jezusi kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, festimet e Krishtlindjes janë zvogëluar në shenjë solidariteti me palestinezët në Gaza.

Në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, papa Francesku bëri apelin e veçantë për tu kujdesur për të tjerët.

“Të veprojmë me mirësi dhe dashuri. Pa dhunë dhe pa cënuar lirinë. Mirësia e Zotit është ajo që ne duhet të përçojmë mes miqve, mes të dashurve tanë. Të jemi të respektueshëm dhe të kujdesshëm ndaj të tjerëve. Në këto ditë duhet të mblidhemi nëpër kisha, të bëhemi bashkë në shtëpi me të afërm apo miq që nuk I kemi parë prej kohësh, të dëgjojmë dhe vizitojmë njëri-tjetrin”

Papa bëri gjithashtu thirrje për ti dhënë fund luftrave

“Ne jemi pranë vëllezërve dhe motrave tona që vuajnë nga lufta, ne mendojmë pa pushim për Palestinën, Izraelin, Ukrainën. Ne mendojmë gjithashtu për ata që vuajnë nga varfëria, uria e skllavëria”, përfundoi Papa Françesku.

Në vigjilje të Krishtlindjeve, edhe bashkia e Tiranës është kujdesur për të ofruar një mjedis sa më festiv, me koncerte në sheshin kryesor që nga ora 19:30. I gjithë eventi është organizuar si udhëtim në kohë e stile muzikore.

Përveç anës spirituale dhe fetare festa e krishtlindjeve vjen në mbarë botën si një nga festat më të bukura dhe më të pëlqyera nga të gjithë. Përgatitjet për këtë festë nisin javë përpara se vigjilja e 25 dhjetorit të shënojë edhe kulmin e festimeve. Dhurata, ushqime të shumëllojshme, e gjithë familja e mbledhur rreth tavolinës duke ndarë urime dhe mesazhet për vit më të mbarë e më të mirë. Në shtëpi vendoset një kurorë, e thurur nga degë kashte dhe pishe, me katër qirinj të kuq që ndizen një nga një, çdo javë para Krishtlindjes.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu